UBT

Pacolli: Partitë po bëjnë pazare për postin e Presidentit që do duhej të zgjidhej nga populli

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Lideri i AKR’së Behgjet Pacolli ka kritikuar opozitën për vendosjen e pankartave në seancën në të cilën ka folur Presidenti i Austrisë. Por, Pacolli i është kthyer përsëri marrëveshjes Dell-Thaci-Mustafa me të cilën parashihej zgjedhja e Presidentit me votë popullore.Pacolli thotë se tash që është shkeluar ajo marrëveshje, partitë po bëjnë pazare për zgjedhjen e shefit të shtetit.

Ja postimi i plotë.

Pamja e djeshme e Kuvendit të Kosovës, para mikut të rëndësishëm austriak, Presidentit Fisher ishte e padenjë.

Po shohim se si zakonisht në katundin tonë politik, politika e brendshme po kthehet në politikë të jashtme, ashtu si shpesh politika e jashtme, po shndërrohet në politikë të brendshme. Kështu ndodh në kaos, ndërrohen rolet.

Por e gjithë kjo që pamë është pasojë. Institucionet e saj po vuajnë një krizë autoriteti. Ky është shkaku i krizës.

Fundamenti

Kryeministri nuk ka autoritet. Parlamenti nuk ka autoritet. Opozita nuk ka autoritet. Presidentja e zgjedhur nga parlamenti nuk ka autoritet. Nëse së paku Presidentja do të kishte autoritet, ajo do të gjente zgjidhje për krizën politike duke i ulur palët në kompromis.

Kollonat e shtëpisë sonë të përbashkët politike po lëkunden. Kur ti ngren një shtëpi me themele të dobët, atëherë shtëpia ka gjasa të lëkundet nga kollonat dhe prej tundjes më të lehtë, prej tërmetit më të dobët.

Ka ardhur koha, më saktë koha kishte shkuar tash moti, me u marr sërish me themelet.

Një marrëveshje politike si ajo që firmosëm unë së bashku me zotërinjtë Mustafa dhe Thaçi, me praninë dhe të Ambasadorit Amerikan Dell, ishte një marrëveshje për themelet. Ajo marrëveshje u rrënua, u hodh poshtë, u shkel me këmbë. Ata që e firmosën, gënjyen, dhe po duan me gënjyer përsëri. Partitë në qeveri po diskutojnë si me nda postet e larta, atë të Presidentit, etj, por ky është një mashtrim i madh, një mashtrim në vazhdim. I vetmi kusht që vura unë për të dhënë dorëheqjen dhe për të mbetur në koalicion asokohe, ishte zgjedhja e Presidentit nga populli.

Sot kjo marrëveshje duhet të respektohet. T’i riparojmë themelet e shtëpisë sonë politike. T’i japim zë popullit në zgjedhjen e presidentit. Kështu shtëpia jonë do jetë më fortë përballë krizave normale në demokraci.