Pacolli: LDK-ja po e financon fushatën nga kompanitë tenderuese

Gjilan – Behgjet Pacolli të dielën në një tubim masive të mbajtur në lagjen “Dardania” ka akuzuar LDK dhe Isa Mustafën se po e financon fushatën me të hollat e kompanive tenderuese nga të cilat pastaj po përfitojnë favore. Pacolli tha se Isa Mustafa është i shkretë që po kërkon votat e qytetarëve derisa asnjë cent nga xhepi i vet nuk e ka shpenzuar për këta qytetar.
Lideri i AKR-së Behgjet Pacolli ka qenë shumë kritik ndaj LDK-së të dielën gjatë një tubimi që ka mbajtur me Koalicionin për Gjilanin në lagjen “Dardania” në Gjilan raporton rajonipress.
Pacolli tha se LDK-ja po e financon fushatën nga firmat dhe kompanitë tenderuese nga të cilat po krijon pastaj favore. “Isa për mendimin tim është i shkretë që po kërkon votat e qytetarëve derisa asnjë cent nuk e ka shpenzuar nga xhepi i tij” tha Pacolli.
Pacolli tha se dinjiteti dhe pjekuria politike e kanë bërë AKR shumë më të fortë. Ai ka folur pozitivisht për figurën e Faton Bislimit për të cilin tha se do e mbështes maksimalisht.”Fatoni nëse do të udhëhiqte me Gjilanin do ta ndal të keqën që e ka përfshirë këtë qytet sepse ai është më i ditur se çdo kandidatë tjerë në Gjilan. Nëse do të fitonte Fatoni në Gjilan atëherë kjo do të ishte një model për AKR në të ardhmen sepse jemi të sigurt se do të ndodhin ndryshime radikalisht pozitive për këtë qytet” tha Pacolli.
Pacolli tha se do të donte që Gjilani të udhëhiqej nga AKR-ja sepse kjo parti ka projekte konkrete, meqë qeveria komunale për këto vite nuk ka bërë asgjë. Pacolli ka kërkuar nga qytetarët që votën as mos ta shesin as mos të lejojnë t`ia vjedhin ndokush.”Ne nuk do të ju zhgënjejmë përkundrazi do të ndiheni krenar me punën tonë” tha Pacolli.
Kurse Faton Bislimi kandidat për kryetar të Gjilanit tha se do të angazhohet që Gjilanit t`i kthehet dinjiteti e krenaria. “Unë do të angazhohem për një qeverisje jo mbi qytetarin, por për qytetarin. Nuk ju premtoj miliona e as mijëra vende pune, por ju sigurojë se do ta krijojë një qeverisje që do jetë shembull dhe model për Kosovën. Në Gjilan duhet të ndodhë kthesa historike sepse ky qytet nuk do të jetë më shërbëtor as i Llapit, as i Dukagjinit e as i Drenicës. Gjilani do të vendos vet për fatin e tij” tha Bislimi.
Bislimi tha se është turp që 14 vite pas luftës në Gjilan flitet për kanalizim e ndriçim derisa këto janë domosdoshmëri dhe obligim i çdo pushteti e kurrsesi premtime elektorale.”Gjilani ka mbetur zorrë qorre dhe me rrugët e Titos të cilat asnjëherë nuk janë rinovuar. Mos harroni se edhe Gjilani është Kosovë” tha me ironi Bislimi.
Bislimi tutje tha se në Gjilan për 14 vite ka pasur vetëm keqqeverisje dhe unë kam ardh për ta ndryshuar këtë gjendje dhe për ta bërë Gjilanin model edhe për qytetet tjera kosovare.
Ndryshe Bislimi lagjes “Dardania” i ka premtuar një qendër rekreative dhe një çerdhe. /rajonipress/