RCCOLA

Pacolli: Kosova e gatshme për dialog, Serbia është ajo që la karrigen e zbrazët

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas deklaratës së përbashkët të shteteve të Quintit, të cilat kanë kërkuar rifillimin e dialogut me Serbinë.

Pacolli ka thënë se, politika e jashtme e Kosovës ka qenë gjithmonë e koordinuar dhe në përputhje me pozicionin e partnerëve strategjikë, Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë që nga fillimi i viteve ’90.

“Shtetësia jonë është e bazuar në orientimin tonë perëndimor dhe ne mirëpresim angazhimin e treguar nga të gjitha vendet e Quintit së bashku për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Kosova gjithmonë ka qëndruar e përkushtuar të vazhdojë dialogun dhe ne kemi qenë të gatshëm të rifillojmë bisedimet, por ishte Serbia që la karrigen e saj të zbrazët dhe provokoi incidente dhe agresion kundër Kosovës vazhdimisht”, ka shkruar Pacolli në Facebook, transmeton Telegrafi.

Mobi Casa

Mes tjerash, Pacolli ka thënë se Kosova është e gatshme për dialog dhe se kushtet janë të qarta si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

“Deklarata e Marko Gjuriqit sot dëshmon edhe një herë mungesën e vullnetit nga Serbia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kosova ka luftuar për 2 vjet një betejë diplomatike të paparë me Beogradin që diplomacia e ndyrë Serbe ka synuar të minojë shtetësinë e Kosovës ndërkombëtarisht. Tarifa ka qenë instrumenti sovran i Kosovës të reagojë ndaj këtij agresioni të provokuar nga Beogradi, dhe sot Serbia ende nuk tregon vullnet për t’i dhënë fund asaj. Ne jemi gati si gjithmonë për dialog, por kushtet janë të qarta si dy shtete të pavarura dhe sovrane që synojnë njohje reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka thënë Pacolli.

Ndërkohë shtetet e Quintit përmes një deklaratë të përbashkët kanë kërkuar normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal./Telegrafi/