Pacolli: Kosova do të jetë e mbyllur për zyrtarët serbë që shpërfaqin urrejtje
Ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, ka folur sot në lidhje me ndalesën për të hyrë në Kosovë që MPJ e ka vendosur për disa funksionarë te lartë serbë. Ai theksoi se Kosova do të jetë e hapur për të gjithë përveç për ata që kanë tendenca të shpërfaqjes së urrejtjes, raporton Zëri.info.
“Kosova është vend i lirë dhe demokratik dhe Kosova asnjëherë nuk do ti mbyllë kufijtë e saj. Në Kosovë do të jetë çdo here i mirëseardhur çdo mik dhe çdo person që kërkon bashkëpunim. Por. Kosova do të jetë gjithmonë e mbyllur për çdo kënd që vjen me tentativë për të çakorduar harmoninë ndëretnike që ne e kemi krijuar dhe që paraqet për ne simbol të shenjë që mbrohet me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Pacolli.
Ai theksoi se Ministria ka arsye të fuqishme për ndalesën që ua ka vënë zyrtarëve serbë.
“Ne kemi ndaluar hyrjen e funksionarëve të lartë të Serbisë kur kemi dëshmi të fuqishme se vizita e tyre është tendencioze dhe ata vijnë për nxitje të urrejtjes. Jemi vend i hapur jemi vend që synon të jetë pjesë integrale e Bashkimit Evropian dhe asnjëherë nuk do ti mbyllim kufijtë tanë”, shtoi ministri i MPJ-së./Zëri


