Pacolli: Ilaçi është zhvillimi ekonomik

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, sot ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Prishtinës, me temën “Lobimi për shtetësinë e Kosovës dhe efektiviteti në Qeverisje”.
Në këtë ligjëratë, i pari i AKR-së, ka paralajmëruar se shteti I Sllovakisë shumë shpejtë mund ta njoh pavarësinë e Kosovës, duke u shprehur se kjo gjë, është një çështje e hapur.
Përveç lobimit dhe angazhimit të drejtpërdrejtë në këtë aspekt, Presidenti Pacolli ka folur edhe për zhvillimin ekonomik në Kosovë.
Ai ka thënë se Kosova duhet të shfrytëzojë avantazhet e saj, pozitën gjeografike, aftësitë e rinisë, forcën e kombit apo patriotizmin modern.
“Projektet e vizionit ekonomik të AKR-së përfshijnë; zonat e lira ekonomike, menaxhimin e Trepçës sipas një koncepti modern, krijimin e platformave ushqimore për qumështin; prodhime të tjera bujqësore, zgjidhja e krizës energjetike përmes burimeve të reja energjetike dhe krijimit të hapësirës së përbashkët ekonomike, kulturore e arsimore me Shqipërinë”, ka theksuar Presidenti i AKR-së.
Pacolli ka thënë se Kosova nuk e ka as traditën, as fuqinë e madhe ekonomike, as administratën funksionale ashtu si duhet, transmeton orainfo.
“Pra efektiviteti i qeverisjes në Kosovë nuk mund të jetë i njëjtë në të gjitha fushat e qeverisjes si në SHBA, Gjermani apo në Suedi, apo gjetkë. Pushteti në Kosovë është monopolizuar në duart e dy partive kryesore që thirren ose tek lufta ose tek rugovizmi. Por kjo s’është zgjidhja. Ilaçi është tek ekonomia”, ka potencuar më tej Pacolli.
Pas ligjëratës Presidenti Pacolli ka vazhduar bashkëbisedimin me studentët e Universitetit të Prishtinës, të cilët kishin rastin të bëjnë pyetje dhe të debatojnë më tej për tema të ndryshme.