Pacolli i drejtohet Prokurorisë së Vlorës: Kamionët po bllokojnë aeroportin, policia po hesht
Biznesmeni Behgjet Pacolli i është drejtuar Prokurorit të Rrethit të Vlorës me një reagim të fortë publik, duke denoncuar, siç thotë ai, bllokimin e hyrjes dhe qasjes në arealin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës nga kamionë të lidhur me Valon Ademin.
Në letrën e tij, Pacolli pretendon se situata nuk kufizohet vetëm brenda territorit të aeroportit, por është zgjeruar edhe në rrugën publike të fshatit, e cila sipas tij është uzurpuar dhe është bërë e pakalueshme për qytetarët, duke cenuar drejtpërdrejt lëvizjen e lirë.
Ai shprehet se kjo situatë po ndodh nën praninë e Policisë së Shtetit, e cila ndodhet, sipas tij, vetëm pak metra larg vendngjarjes, por nuk po ndërhyn për të zbatuar ligjin, duke e cilësuar këtë si tolerim dhe mbrojtje të paligjshmërisë.
Pacolli thekson se një situatë e tillë përbën precedent të rrezikshëm për shtetin e së drejtës, pasi institucionet që kanë detyrimin të garantojnë rendin dhe ligjshmërinë, sipas tij, po shndërrohen në spektatore ose në palë që tolerojnë shkeljet.
Në adresim të drejtpërdrejtë ndaj Prokurorisë, ai deklaron se prej ditësh janë dorëzuar denoncime për dhunë dhe veprime të paligjshme nga një grup i organizuar, i cili, sipas tij, po ushtron presion ndaj investitorit dhe po pengon zhvillimin e projektit.
“Çdo ditë i keni përpara denoncimet tona dhe pamjet e bllokadave. Çfarë duhet të bëjmë më tepër?”, shprehet Pacolli, duke shtuar se pala që ai përfaqëson nuk ka zgjedhur dhe nuk do të zgjedhë dhunën, por ka besuar te ligji dhe drejtësia.
Në fund të reagimit, Pacolli i kërkon Prokurorisë që ose të veprojë në përputhje me ligjin, ose të deklarohet qartë mbi mënyrën se si duhet të veprohet në një situatë ku, sipas tij, institucionet nuk po garantojnë mbrojtjen ligjore.
“Mos prisni përshkallëzim tjetër, ju lutem”, përfundon reagimi i tij./rajonipress/


