Pacolli: Dilni masovikisht në zgjedhje që t’i thoni ndal qeverisjeve që e kane zhvatur Kosovën

Komandanti i Gollakut, Adem Shehu: Lufta nuk është pronë e disa individëve!.Sot Aleanca Kosova e Re, me një pjesëmarrje masive të qytetarëve të Hajvalisë, ka hapur fushatën Zgjedhore edhe në këtë pjesë të Prishtinës, ku bashkë me partnerët e koalicionit LDK-LD-Alternativa, ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Ky koalicion do ta krijojë një qeveri ndryshe për Kosovën. Ju bëj thirrje të gjithëve që të dilni me 11 qershor masovikisht dhe t’i largojmë nga pushteti njerëzit që e kanë keqpërdorur besimin e tuaj dhe kanë zhvatur Kosovën për vite me radhë.
Tash ka ardhur koha që të gjithë së bashku ta votojmë njeriun e punës, të fjalës, dijes, i cili ardhmërinë e sheh vetëm tek puna, e ky është profesori i nderuar Avdullah Hoti”, ka thënë Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili gjatë gjithë fjalimit është përcjellur me duartrokitje dhe brohoritje të shumta nga qytetarët e Hajvalisë.
“T’i besojmë këtij njeriu është sigurisht alternativa e vetme”, ka thënë lideri i AKR-së, duke premtuar se Hajvalia dhe i gjithë Gollaku do të qëndrojnë pas z.Hoti dhe koalicionit të shpresës.
Më pas Presidenti Pacolli ka ftuar për një fjalë rasti edhe ish komandantin e zonës së Gollakut z. Adem Shehu, i cili ditë më parë ka aderuar në Aleancën Kosova e Re.
Në fjalën e tij para qytetarëve Shehu ka theksuar se, lufta nuk është pronë e disa individëve, por e gjithë popullit të Kosovës. “Unë hyra në AKR sepse Presidenti Pacolli me tha; Dua që fëmijët e mi të jetojnë në Kosovë si gjithë fëmijët e tjerë, atje ku kam lindur edhe unë”, ka thënë ndër të tjera Shehu.
Ndërsa kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, Avdullah Hoti ka premtuar se koalicioni i shpresës do të bëjë kontratë me qytetarë, e cila siguron zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe ardhmëri me prosperitet, duke shtuar se kjo kontratë do të zbatohet në përpikmëri.
Hoti iu ka bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë koalicionin e shpresës dhe ka shtuar se, është e vetmja alternativë që do të ofrojë arsimim cilësor, shtet të së drejtës dhe pa korrupsion. Ai kërkoi nga qytetarët që ta vlerësojnë vetë se kush e mban fjalën dhe kush nuk e ka mbajtur asnjëherë.
Qytetarët me një fjalë rasti i ka përshëndetur edhe kryetari i degës së AKR-së në Hajvali,Islam Pacolli, njëherit kandidat për deputet që vjen nga Hajvalia./rajonipress/