Fundamenti

Pacolli: CEFTA ishte një gabim

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjatë një ligjërate me studentët e Universitetit AAB në Gjakovë, Presidenti i Aleancës Kosova e Re, z. Behgjet Pacolli ka adresuar disa kritika për proceset nëpër të cilat ka kaluar Republika e Kosovës nga paslufta, në sferën ekonomisë.

Ndër to z. Pacolli ka përmendur marrëveshjen e CEFTA-s e cila sipas tij, ishte e panevojshme për një ekonomi si Kosova e cila sektorin e eksportit e ka mjaft të pazhvilluar.

“Nuk e kuptoj pse është dashtë një vend si Kosova të jetë pjesë e marrëveshjes së CEFTA-së. E kuptoj cështjen e MSA-së, por Kosova nuk ka përfituar nga kjo marrëveshje dhe deri sot, prodhimi vendor është dëmtuar. Nuk është patriotizëm t’u kërkohet qytetarëve të blejnë një mall më të shtrenjtë vendës por patriotizëm është të krijohen kushte të favorshme për prodhimin vendës”.

UBT

Në ligjëratën e tij para studentëve z. Pacolli ka folur edhe për zonat ekonomike, duke e zgjeruar idenë edhe matanë kufinjëve.

“Gjakova është një vend strategjik që lidhet me komunat matanë kufirit me Shqipërinë. Ideja për zgjerimin e zonave ekonomike është cështje me të cilën do të vazhdoj të merrem edhe në qeverisjen e ardhshme. Trumbetimi në hava për bashkimin kombëtar duhet të konkretizohet në sferën e ekonomisë dhe kjo duhet të konsiderohet patriotike sot, mirëqenia e qytetarëve tanë”, ka thënë Pacolli.

Ndërkohë, studentët u interesuan edhe për mendimin e tij si njohës i mirë i politikave ekonomike globale rreth fuqisë ekonomike të Kinës, ku z. Pacolli numëroi avantazhet dhe disavantazhet e saj.