Pacolli: Aeroporti i Vlorës u përball me vandalizëm dhe vjedhje, autorët duhet të dalin para drejtësisë
Vlorë – Presidenti i kompanisë MABCO, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër pas rikthimit të kompanisë në kantierin e Aeroportit të Vlorës, duke deklaruar se objekti i terminalit dhe ndërtesat përcjellëse janë gjetur në gjendje të rëndë pas një periudhe që ai e cilëson si bllokadë të paligjshme dhe të dhunshme.
Sipas Pacollit, MABCO është rikthyer në kantier pas pesë javësh nga sekuestrimi i objektit, në zbatim të vendimeve të Asamblesë së Ortakëve, vendimit të Gjykatës së Lartë, si dhe kërkesave të institucioneve shtetërore shqiptare për vazhdimin e punimeve në një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në vend.
“Në momentin e rikthimit tonë në kantier, ajo që konstatuam ishte tronditëse, e dhimbshme dhe krejtësisht e papranueshme. Një vepër e ndërtuar me vite pune, përkushtimi, sakrificash të panumërta dhe investimesh shumë të mëdha financiare është gjetur rëndë e dëmtuar, e keqpërdorur dhe e ekspozuar ndaj akteve të vandalizmit, huliganizmit dhe vjedhjes”, ka deklaruar Pacolli.
Ai ka bërë të ditur se gjatë inspektimit janë evidentuar dëmtime serioze në pajisje dhe infrastrukturë, përfshirë monitorët informues, dyert automatike, pllakat, panelet, sinjalistikën, kuadrot elektrike, gjeneratorët e energjisë dhe pajisje të tjera të rëndësisë kritike për funksionimin e aeroportit. Sipas tij, një numër i konsiderueshëm veglash, materialesh dhe pajisjesh në pronësi të MABCO-s dhe kompanive nënkontraktuese rezultojnë të zhdukura.
Pacolli thekson se këto nuk janë thjesht dëme materiale, por sulm i drejtpërdrejtë ndaj punës dhe investimeve të realizuara ndër vite.
“Këto janë akte të qëllimshme që përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj mundit, punës së ndershme dhe përpjekjeve të qindra profesionistëve që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti strategjik. Çdo monitor i shkatërruar, çdo derë e dëmtuar dhe çdo pajisje e vjedhur përfaqëson jo vetëm një humbje financiare, por edhe një mungesë të thellë respekti ndaj punës, sakrificës dhe investimit të bërë ndër vite”, ka thënë ai.
Sipas tij, dëmet janë thelluar edhe më shumë nga mosfunksionimi i sistemeve teknike gjatë periudhës së bllokadës. Temperaturat e larta, mungesa e qarkullimit të ajrit dhe ndërprerja e kushteve minimale operative kanë shkaktuar dëmtime shtesë në sistemet mekanike, elektrike dhe grupet gjeneruese, duke rritur kostot dhe afatet për rikuperimin e plotë të objektit.
Në reagimin e tij, Pacolli ka shprehur shqetësimin se një aset strategjik kombëtar është lënë në mëshirën e personave që, sipas tij, nuk kanë pasur interes për zhvillimin e projektit, por për pengimin e tij.
“Është e dhimbshme të shohësh se si një aset strategjik kombëtar, i ndërtuar me aq mund, përkushtim dhe investime të jashtëzakonshme, është lënë të shkatërrohet nga njerëz pa skrupuj, të cilët me veprimet e tyre kanë dëshmuar se synimi i tyre nuk ka qenë zhvillimi i projektit, por pengimi i tij. Këto veprime ngjallin dyshime serioze se shkatërrimi i qëllimshëm i pronës ka pasur për qëllim jo vetëm ndalimin e punimeve, por edhe fshehjen e veprimeve dhe pasojave që sot po dalin në dritë”, ka deklaruar ai.
Pacolli ka vlerësuar se vandalizmi, vjedhja dhe dëmtimi i pronës nuk prekin vetëm kompaninë që po realizon investimin, por dëmtojnë interesin publik, zhvillimin ekonomik, besimin e investitorëve dhe perspektivën e një projekti që konsiderohet me rëndësi të veçantë për Shqipërinë.
Në fund të reagimit, ai i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë organeve të drejtësisë, veçanërisht SPAK-ut, që të nisin hetime të thella dhe të pavarura për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur gjatë periudhës së bllokimit të kantierit.
“Autorët e këtyre veprimeve, organizatorët dhe nxitësit e tyre duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë ligjore për dëmet e shkaktuara. Publiku meriton të dijë jo vetëm kush i kreu këto akte, por edhe cili ishte shkaku dhe arsyeja e vërtetë e këtij vandalizmi që u ushtrua për javë të tëra para syve të institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe ligjit”, ka theksuar Pacolli.
Ai ka siguruar se pavarësisht pengesave, dëmtimeve dhe përpjekjeve për sabotim, MABCO do të vazhdojë punën deri në përfundimin e projektit.
“MABCO nuk do të ndalet. Pavarësisht pengesave, dëmtimeve dhe përpjekjeve dashakeqe për të sabotuar, përvetësuar apo shkatërruar këtë investim, puna do të vazhdojë. Aeroporti do të përfundojë dhe do t’u shërbejë qytetarëve, sepse as vandalizmi, as hajnia, as presioni dhe as interesat e ngushta nuk mund të jenë më të forta se ligji, e drejta, vizioni dhe përkushtimi për ta çuar këtë projekt deri në fund”, përfundon reagimi i tij./rajonipress/


