Mobi Casa

“Paaftësia e Qeverisë së Kosovës për t’u sjellë në mënyrë europiane”, kualifikimi i Stanos sfidohet nga gazetarët në Bruksel

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sot në një konferencë për media ka folur sërish për situatën mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për letrën që kanë pranuar nga 56 parlamentarë nga Europa dhe SHBA me kërkesën që të sillen në mënyrë të barabartë si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj Serbisë.

Stano përsëriti se BE-ja merr vendime unanime si bllok i përbërë nga 27 shtete anëtare dhe se numëron mijëra parlamentarë, raporton Gazeta Express.

Ai përmendi vendosjen e masave ndaj Kosovës, duke thënë se arsyeja për këtë ishte sjellja joeuropiane e Kosovës në tensionimin e situatës në veri.

“Dhe ajo që kemi bërë së fundi në dritën e eskalimeve aktuale është ndërmarrja e masave kundër Qeverisë së Kosovës për shkak të paaftësisë së tyre që të nisin të sillen në një mënyrë europiane në deeskalim dhe për të ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për deeskalim”.

Por, për këtë një gazetare e pyeti Stanon nëse Serbia është duke u sjellë në mënyrë europiane.

“Ju e përshkruat qasjen e Kosovës… thatë që po sillet në një mënyrë joeuropiane, a do të thoshit që po sillet edhe Serbia në këtë mënyrë?”, ishte pyetja e gazetares.

Uji Dea

Stano nuk iu përgjigj direkt, por dha një përgjigje të përgjithshme se si duhet të sillen palët për t’i përmbushur synimet e tyre të deklaruara për integrim europian.

“Ne shumë herë kemi diskutuar të gjitha aspektet e ndryshme të sfidave në dialog dhe çështjet e ndërlidhura dhe ajo çfarë BE pret nga të dyja palët është një sjellje europiane dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje europiane dhe në fund të dyja duan t’i bashkohen Bashkimit Europian. Ato kanë deklaruar se integrimi europian është prioriteti i tyre strategjik”.

Zëdhënësi i BE-së tregoi edhe se si duket një sjellje europiane.

“Të sillesh në mënyrë europiane nënkupton të sillesh në mënyrë konstruktive në deeskalim dhe të jesh në gjendje të arrish kompromiset e nevojshme dhe konsensusin e nevojshëm. Ky është mesazhi që ne po përcjellim ditë pas dite, javë pas jave e muaj pas muaji, sidomos në kontekstin aktual të menaxhimit konstant të krizave”.

Stano tha se krizat nuk i kushtojnë BE-së si lehtësuese, por ato iu kushtojnë palëve nga mënyrat që ato vendosin të zgjedhin për të arritur çdo synim, por tha se kjo nuk i ndihmon në rrugën europiane.