Uji Dea

Pa u reformuar partitë, nuk zhbllokohet shteti

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Duke parë lidhjen e fortë të politikës me krimin e organizuar dhe humbjen e besimit qytetar në këtë skenë politike, analistët theksojnë se pa ndryshuar rrënjësisht partitë dhe pa u reformuar ato seriozisht nga e para, pa u çliruar nga servilët, por sidomos pa u liruar nga banditët dhe nga krimi i organizuar, nuk mund të presim qeverisje më të mirë asnjëherë në Kosovë, sado që zhvillohen zgjedhje e rrotullohen interesa të ndryshme politike në pushtet.

Sipas analistëve politikë, pikërisht kjo është edhe arsyeja që qytetarët i kanë çuar duart lart duke u dorëzuar dhe shpëtimin e shpresën po e kërkojnë sa më larg Kosovës, në shtetet perëndimore, sepse nuk shohin që një spektër i gjerë politik i lidhur me krimin mund të ndryshojë mentalitet dhe të japë diçka në interesin e zhvillimit të vendit.

Analisti politik Ali Hertica thotë se aq thellë kanë depërtuar individët e inkriminuar nëpër parti politike, bashkë me servilët e ndryshëm, saqë është bërë i pamundur depërtimi i kuadrove të reja e profesionale, prandaj kjo po e dekurajon qytetarin dhe po e rrit mosbesimin në parti politike, por edhe në institucionet që drejtohen prej tyre.”Nuk mund të kemi as institucione kredibile, në interes të zhvillimit të vendit, dhe as parti politike me programe konkrete për qytetarin, derisa nuk pastrohet dhe reformohet rrënjësit kjo garniturë e partive politike. Shumica e partive politike janë të stërngarkuara e të dominuara, të kontrolluara nga lidhjet e ngushta klienteliste dhe njerëz të inkriminuar, të cilët nuk po lejojnë freskimin e tyre me forca të reja akademike e profesionale, prandaj nuk kemi as projekte serioze në interes të zhvillimit të vendit. Kjo bën që qytetarët brezin i ri e të shkolluar të humbë shpresën dhe të kërkojë jetë më të mirë jashtë vendit”, u shpreh Hertica për “Kosova Sot”.

Kriminalizimi i politikës

Analisti Florim Zeqa pohon se degradimi i qeverisjes së vendit nga partitë e dështuara politike dhe liderët e korruptuar partiakë është bërë shqetësim i përgjithshëm i popullatës kosovare.”Partitë politike, pa dallim pushtet dhe opozitë, të kapura nga servilët e të gjitha pushteteve, nga urithët e nëntokave politike, nga bandat e krimit të organizuar dhe nga bosët e korrupsionit janë bërë gangrenë për shtetin e Kosovës. Do të ishte iluzive të presim qeverisje të mirë pa reformimin e thellë dhe pastrimin e partive politike nga mbeturinat e ish-sistemit, nga të korruptuarit dhe inkriminuarit e skenës politike. Qytetarët e irrituar nga kjo klasë kusarësh politikë kanë filluar të dorëzohen duke e kërkuar shpëtimin dhe shpresën me largim nga vendi i tyre në drejtim të shteteve perëndimore. Kontaminimi i skenës politike, është produkt i një grupi të vogël njerëzish të papërgjegjshëm, të cilët kanë thyer shpresat e një popullate të tërë”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Nevojën e reformimit urgjent të partive politike në interes të kthimit të besimit qytetar e sheh edhe Faton Mehmeti. “Patjetër se duhet reformuar partitë politike në Kosovë, pastrimi nga klanet dhe grupacionet që nuk janë për interes të qytetarëve është i domosdoshëm. Fatkeqësisht politika e ka vrarë ëndrrën e qytetarëve se edhe këtu mund të jetohet me nder, është krijuar ideja se këtu mund të jetosh mirë vetëm duke qenë i pandershëm, bandit dhe i lidhur me politikanët”, u shpreh ai.

UBT

Intelektualët u shitën

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, funksionimi i brendshëm i partive politike potencialisht është reflektim real në qeverisje.”Logjika e brendshme e funksionimit të partive politike është pasqyra më e qartë se në jetën institucionale partitë politike funksionojnë brenda kornizës së frymës së brendshme. Qytetarët janë dorëzuar nga instalimi i një fryme të mbrapshtë, e cila ka prodhuar një mjerim socioekonomik dhe një kaos institucional”, potencoi ai. “Gjykoj se partitë politike duhet të kenë një reformë radikale, e cila do të prodhonte një shpresë më të madhe për qytetarët. Realiteti i prodhuar për më shumë se një dekadë ka zbehur imazhin e shtetit të Kosovës”, potencoi Ahmeti. “Partitë politike janë ngulfatur nga klanet që funksionojnë brenda mendësisë së mbrapshtë dhe në vijën paralele të klientelës së tyre, por edhe një pjesë e “intelektualëve” fiktivë kanë gjetur vend në partitë politike, pasi që përmes tyre janë bërë të fuqishëm politikisht e financiarisht. Intelektualët e mirëfilltë e kanë obligim qytetar, kombëtar, shtetëror të “sakrifikojnë” për shpëtimin e substancës së Republikës, duke u reformuar e prodhuar një realitet më të mirë socio-ekonomik”, tha Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.

Fatura e rëndë e dështimit

Edhe analisti dhe publicisti Skënder Mulliqi vlerëson se për shkak të mosreformimit të brendshëm të partive politike nuk do të kemi ndryshime pozitive në shoqëri, sepse aktualisht partitë politike ende janë me logjikën përfituese, janë me logjikën autokratike të sundimit mbi masën, e jo për të mirën e përgjithshme.”Ndryshimet e deritashme më shumë ishin ndryshime kozmetike, edhe kur bëhet fjalë për programin dhe mënyrën e qasjes karshi zgjedhjes së problemeve. Vitet e fundit programet e partive politike janë reflektim i natyrës klienteliste, u adresohen kategorive mbështetëse dhe komuniteteve lokale, varësisht nga cila zonë edhe vijnë. Pa reformim cilë- sor të partive politike, nuk mund të priten as ndryshime pozitive në të mirë të Kosovës”, theksoi ai. “Ndryshimet substanciale nuk mund të vijnë vetvetiu, kur dihet së në të gjitha zgjedhjet e deritashme pak gjë u është ofruar qytetarëve në të mirë të tyre. Premtimeve dhe rrenave të deritashme të partive bartëse të pushtetit iu ka dalë tashmë krejt boja. Partitë duhet të lirohen nga njerëzit më biografi kriminale, besa edhe antikombëtare, aty këtu në mesin e tyre. Pikërisht për mosreformim të partive politike po kemi edhe kriza të vazhdueshme politike dhe institucionale”, tha Skënder Mulliqi për “Kosova Sot”.

Ndërsa, politologu Arsim Haziri pohon se politika, siç dihet udhëheq qeverisjen, tashmë kur qeverisja udhëhiqet nga politika e pandërgjegjshme dhe jo e favorshme për mirëqenien e përgjithshme, natyrisht se sfera publike si mundësi për ikje nga kjo gjendje e gjejnë Perëndimin. “Subjektet politike janë ato që mbajnë faturën ekskluzive për çorientimin e vendit, kjo mënyrë e orientimit të shtetit vetëm sa është duke rrudhur kapacitetin shtetëror, kapacitet i cili është krijuar me mund dhe sakrificë. Përfundimisht theksoi se vendit i duhet një tjetër mendësi qeverisëse, tjetër mendësi në formë dhe përbërje, e cila mund të jetë shpresa dhe mundësia relevante për ndryshimin pozitiv të institucioneve shtetërore”, tha Haziri për “Kosova Sot”.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.