ARKATANA

Pa takim trepalësh në Bruksel, Borrell: Kurti paraqiti tri kushte për angazhim në procesin e normalizimit

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.

Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, përheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.

Siç transmeton REL, Borrell tha se Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti, përderisa “presidenti Vuçiq la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes [në rrugën drejt normalizimit të raporteve], në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes”.

Gjatë takimeve të ndara midis Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas Borrellit, palët paraqitën qëndrimet e tyre se si procesi duhet të ecë përpara.

“Si zakonisht, diskutimet ishin të vështira dhe në fund nuk pati takim trepalësh. Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë, Serbia ishte”, tha ai.

Paraprakisht, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha për mediat në Bruksel se gjatë rundit të dialogut të nivelit të lartë, ai nuk është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiq gjatë një deklarimi për mediat.

Vuçiq tha se është kthyer tri herë në takimin me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e bllokut për dialogun, Mirosllav Lajçak, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai i është përgjigjur. Ai e vlerësoi korrekt takimin me ndërmjetësit evropianë.

“Ai nuk ka dashur të më takoj”, tha Vuçiq kur u pyet nga gazetaret se pse nuk pati një takim të përbashkët, duke shtuar se Kurti ka thënë se “nuk është gati për një takim me Vuçiqin”.

“Jam i sigurt se BE-ja në njoftimin e saj do të thotë se kush nuk donte bisedime sot”.

Sipas presidentit serb, Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe “tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.

Vuçiq tha se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve, teksa i ka konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel.

Eco Higjiena

Ai shtoi se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë bisedimet javën e ardhshme, “të martën ose të mërkurën”.

Paraprakisht, Vuçiq përmes një postimi në Instagram deklaroi se në takim ka insistuar edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në Bruksel sot janë mbajtur dy runde të takimeve dypalëshe mes përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Vuçiq.

Pavarësisht se BE-ja kishte paralajmëruar se pas takimeve dypalëshe do të mbahej edhe një takim trepalësh, ai nuk ndodhi.

Para takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se pret që në takimin e sotëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për arritjet në dialog, por edhe për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Në një deklaratë për media, para nisjes së takimeve, Borrell tha se takimet paraprake të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të diskutohet për hapat drejt zbatimit të marrëveshjes.

“Fatkeqësisht, zbatimi i marrëveshjes [për normalizimin e raporteve] ende nuk ka nisur. Dhe shpresojmë që sot ne definitivisht të bisedojmë se si të sigurohemi që ne përfundimisht të lëvizim përpara me këtë marrëveshje. Lidhur me këtë, do të diskutojmë për hapat e radhës dhe është e qartë se ajo për të cilat palët janë pajtuar duhet të zbatohet. Marrëveshjet janë baza e veprimeve, por veprimet duhet të vijnë pas marrëveshjeve. Zbatimi është fjala kyçe”, tha Borrell.

Shefi i diplomacisë së BE-së kujtoi se takimet paraprake mes Kurtit dhe Vuçiqit kryesisht kanë qenë për “menaxhimin e krizave të njëpasnjëshme”, por tha se shpreson që ky takim të jetë ndryshe.

“Sot, në rundin e ri të dialogut shpresojmë se do të përçojë një mesazh tjetër dhe të përfundojë ndryshe. I dërguari ynë i posaçëm ka punuar dhe duam që me dy liderët të diskutojmë se çfarë është arritur në dialog gjatë mandatit tonë që nga viti 2019. Po ashtu, për ne do të jetë e rëndësishme që të dimë se si të dyja palët e shohin të ardhmen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, se si palët duan ta vazhdojnë këtë proces”, tha Borrell.

Ai tha se pas disa muajsh, postin e tij dhe të Lajçakut do ta marrin persona të tjerë, por theksoi se “marrëveshjet, konkluzionet e Këshillit dhe pritjet e BE-së nuk do të ndryshojnë”.

“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është në zemër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi po ashtu është i lidhur ngushtë me rrugën e pranimit [në BE]”, tha Borrell.

Ndërkaq, para takimeve në Bruksel Vuçiq tha se nuk pret asnjë rezultat nga takimi me Kurtin.

“Nuk pres asgjë. Pres që [Kurti] të dramatizojë dhe të bërtasë pak, derisa t’i them që të ndalet. Do ta dëgjoj me kujdes Borrellin dhe Lajçakun, nuk kam asgjë kundër tyre, ata punojnë në rrethana të vështira. Ne do të luftojmë për interesat e popullit tonë. Nuk pres konkluzione të mëdha”, tha Vuçiq për gazetarët.