Pa investime, MSA nuk do të thotë asgjë

Liderët kosovarë janë të bindur se shtetet e Bashkimit Evropian do të miratojnë kërkesën e Komisionit Evropian, për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit (MSA). MSA ka qenë e lidhur direkt me bisedimet Kosovë-Serbi, ku menjëherë pas arritjes së marrëveshjes Komisioni Evropian miratoi propozimin për hapjen e negociatave dhe tani pritet që këtë ta bëjnë edhe shtetet e BE-së.
Edhe analistët politikë janë të bindur se kësaj marrëveshjeje do t’i thonë po edhe pesë vendet të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës: Spanja, Qipro, Greqia, Rumania dhe Sllovakia.
Tashmë edhe liderë nga këto shtete kanë deklaruar se pavarësisht mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, nuk do të pengojnë rrugën e saj drejt integrimeve. Optimist është shprehur edhe komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle, i cili ka thënë se pret nga të gjitha shtetet e BE-së, që të miratojnë këtë vendim, shkruan Zëri.
Por, ajo që tani po e preokupon shoqërinë civile në Kosovë, është se sa do të jetë e aftë Qeveria e Kosovës të përfitojë gjatë këtyre negociatave.
Shenoll Muharremi, njohës i çështjeve integruese, tha për për këtë të përditshme, se meqë MSA ka karakter tregtar, Qeveria e Kosovës duhet të ndryshojë politikat investuese. “Nuk do të kemi kurrfarë benefitesh nga kjo marrëveshje, nëse qeveria nuk ndryshon politikat investuese, nga investimet qindra milionëshe në rrugë, t’i kthej në investime te sektori privat dhe te prodhimet. Vetëm në këtë mënyrë mund ta shfrytëzojmë marrëveshjen tregtare”, u shpreh Muharremi.
Sipas tij, është me rëndësi që Qeveria e Kosovës të përdor procesin e integrimeve për zhvillim të brendshëm, në mënyrë që edhe qytetarët edhe bizneset të përfi tojnë nga MSA. Sa i përket kohëzgjatjes së këtyre negociatave, Muharremi tha se e tëra varet nga dinamika e Qeverisë, por kryesisht negociatat për programet evropiane nuk kanë zgjatur shumë.
Edhe Safet Gërxhaliu, njohës i çështjeve ekonomike, tha se tani me nisjen e negociatave për MSA, institucionet e vendit duhet të orientohen nga zhvillimi ekonomik.
“Të gjitha këto procese, nga këndvështrimi institucional gjithmonë shihen vetëm nga perspektive politike dhe shumë pak apo aspak ekonomike. Komunikimi dhe debatet me sektorin privat janë vetëm formale sa për të thënë se po debatojnë dhe në fund nuk bëhet asgjë. Prandaj, me këtë marrëveshje është koha e fundit që të ndryshohet qasja e politikave investuese”, tha Gërxhaliu.
Në anën tjetër, Teuta Sahatçia deputete nga LDK, tha se që të përfi tohet nga MSA, varet nga Qeveria e Kosovës se sa do ta shfrytëzojë për të përfituar fonde edhe investime nga jashtë. “Edhe në këtë rast, varet prej Kosovës se sa do të negociojë dhe sa do të ketë aftësi që të nxjerr fonde nga BE-ja, pasi që MSA ofron Kosovën me BE-në në fushën e tregtisë”, tha ajo.
Më herët, ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari- Lila ka thënë se MSA do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 66 milionë euro.(tribuna)