RCCOLA

Pa intervenimin e NATO-s, Ballkani do hidhej në erë

/ 5 minuta lexim

Në vitin 1999 NATO’ja besonte se operacioni i bombardimit të Serbisë do të zgjaste vetëm 48 orë, e jo 78 ditë. Jamie Shea ish- strategu dhe zëdhënësi i NATO’s thotë se nuk është pishman për bombardimet, ndonëse i vjen keq për viktimat civile.

Shea, i cili njihet edhe si shpikës i termit “dëm kolateral”, konsideron se aksioni i NATO’s kundër Serbisë ishte i suksesshëm, megjithëse, sipas tij, ai ka mundur të ishte edhe më i suksesshëm. Sot, Shea ndjenë keqardhje për gabimet e bëra, respektivisht për viktimat civile, të cilat i cilëson si “gjëra për keqardhje”. “Por, i refuzoj vendosmërisht pohimet se cilido nga këto sulme ishte i qëllimshëm. Këto ishin gabime tragjike. E kemi problem që nga ajri gjithnjë t’i identifikojmë vetëm caqet e duhura”, citon gazeta pohimin e Shea gjatë një interviste të tij për gazetën vjeneze ‘Die Presse’.

Si zëdhënës i Aleancës, Shea thotë se ka qenë i detyruar të sqarojë shpejtë se çfarë ka ndodhur, edhe pse ndonjëherë ndodhte që këto sqarime të zgjatshin derisa nga ushtria nuk i siguronte të gjitha informacionet e duhura – sipas tij, kjo nganjëherë zgjaste edhe deri në disa ditë. “Në një botë moderne mediale kjo është tepër e ngadaltë. Duhej të ishim më të përgatitur për një operacion aq të gjatë të NATO’s, edhe pse në fund ishim shumë më profesionalë se në fillim të intervenimit”, sqaroi ai.

Por, sipas mendimit të Shea, pati edhe shumë gjëra të mira, si për shembull, fakti që në Kosovë u intervenua shpejt, krahasuar me Bosnje e Hercegovinën, ku “ishte tmerrshëm”, për shkak se tepër gjatë vetëm po shikohej nga distanca. “Nxorëm mësime nga Srebrenica, kështu që për Kosovën nuk kërcënuam kot, siç ndodhi paraprakisht në Bosnjë. A ishte pra intervenimi në Kosovë i përkryer, apo jo? Mendoj se jo. Por, ishte shumë më i mirë se në Bosnje”, shprehet i bindur Shea, transmeton Express.

Sipas ish-zëdhënësit të NATO’s, dëbimi masiv i popullatës shqiptare në terren kishte filluar shumë para intervenimit të NATO’s, sepse deri atëherë forcat serbe i kishin dëbuar mbi 100,000 njerëz nga shtëpitë e tyre. Meqë forcat serbe, thotë ai, kishin filluar me spastrimin e popullatës shumë para bombardimeve të NATO’s, pa këtë intervenim numri i viktimave në Kosovës sigurisht se do të ishte shumë më i lartë. “Nëse dikush si Slobodan Milosevic i kontrollon ngjarjet në terren, atëherë aty s’mund të diktohet se çfarë duhet të ndodhë. Neve na është dashur të parashikojmë se si do të reagojë Milosevici ndaj intervenimit të NATO’s. Ai i dëboi shqiptarët e Kosovës, dhe, nga ana tjetër, askush nuk ishte i gatshëm për pranimin e një vale refugjatësh. Kjo ishte një krizë enorme për Maqedoninë dhe Shqipërinë”, thekson Shea.

Fundamenti

Miloseviç i frikësohej intervenimit tokësor

Gjatë intervistës Shea sqaron edhe atë se, tashmë dihet se në prapaskenë kishte edhe bisedime të shumta mes shumë vendeve lidhur me një intervenim të mundshëm tokësor në Serbi,që ishte një hap i logjikshëm i radhës, por në NATO nuk kishte një vendim definitiv për këtë gjë. “Besoj se Milosevic i frikësohej intervenimit tokësor. Ai besonte se ishte më mirë të largohej nga Kosova me pjesën më të madhe – pothuajse të paprekur – të ushtrisë, sesa ta niste atë kundër NATO’s”, thekson tutje Shea, derisa sqaron se SHBA’të ia dolën që në këtë kombinim ta përfshinin edhe Rusinë, e cila në ndërkohë i sugjeroi Milosevicit se ishte koha që të ndalej.

I pyetur për efikasitetin e bombardimeve të NATO’s, për shkak se është dëshmuar se infrastruktura e ushtrisë jugosllave ishte dëmtuar më pak seç ishte prezantuar, Shea deklaroi se, gjatë konflikteve duhet qenë shumë i kujdesshëm me statistikat. Të dhënat e siguruara nga satelitët apo nga pilotët nuk janë gjithmonë precize, edhe pse nga lufta në Kosovë e këndej, teknologjia në këtë fushë ka përparuar shumë, sqaron ai.

Sipas fjalëve të Shea’s, në ndërkohë NATO ka ndryshuar, dhe forcat e saj moderne tashmë kanë mësuar se si të bashkëpunojnë me organizatat qytetare, sikurse që është rasti në Kosovë, ku NATO’ja menaxhon forcat e KFOR’it dhe bashkëpunon ngushtë me EULEX’in. Ndryshe, gjatë 78 ditëve të bombardimit të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), që filloi më 24 mars 1999 dhe përfundoi më 10 qershor 1999, përveç dëmeve materiale në pajiset dhe objektet ushtarake dhe ato të infrastrukturës shtetërore të ish-RFJ’së – të cilat vlerësohen në disa dhjetëra miliarda euro – janë regjistruar edhe rreth 3,000 viktima në njerëz.