Pa hetuar mafio-oligarkët nuk ka drejtësi
Emërimet e reja në gjykata dhe prokurori nuk dihet se çfarë ndryshimesh eventuale do të sjellin. Sipas njohësve të kësaj fushe nuk dihet nëse kuadrot e reja do të jenë të aftë që t’i luftojnë të këqijat që kanë ndodhur deri tash në sistemin e drejtësisë.
Peshqit e mëdhenj, sfidë për rendin dhe ligjin
Emërimet e reja në gjykata dhe prokurori nuk dihet se çfarë ndryshimesh eventuale do të sjellin. Sipas njohësve të kësaj fushe nuk dihet nëse kuadrot e reja do të jenë të aftë që t’i luftojnë të këqijat që kanë ndodhur deri tash në sistemin e drejtësisë,shkruan gazeta Kosova Sot. Si të rinj të zgjedhur, ata do të duhej ta dëshmonin vetën shumë shpejt që t’i luftojnë oligarkët e inkriminuar. Por, mbetet mister se a do të kenë ata guximin dhe vullnetin që të merren me raste të aferave të tilla të mëdha, siç është rasti i Devollëve me PTK-në, por edhe aferave të tjera, pasi sipas perceptimit publik, nuk pritet ndonjë kthesë apo ndryshim për ta ndërruar këtë gjendje të brishtë dhe të pashpresë në drejtësi. Dyshimet janë se në gjykatat e prokuroritë e Kosovës janë të emëruar një “duzinë” prokurorësh e gjyqtarësh e deri edhe kryetarë e kryeprokurorë, që njihen si “gjyqtarë e prokurorë” të mafio-oligarkëve të ndikuar nga zyrtarë të lartë të shtetit.
Profesori i së Drejtës Riza Smaka, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se korrupsioni në sistemin gjyqësor është i madh dhe një numër i madh i lëndëve dhe rasteve juridike në prokurori e gjykata është i papërfunduar, derisa ka edhe shumë të tilla të zhdukura dhe të parashkrura.
Sistemi gjyqësor, në shërbim të Qeverisë
Sipas Smakës, nuk mund të jetë normale që të ketë numër aq të madh të lëndëve të pakryera, të shpërdoruara dhe të abuzuara. “Kësisoj në kuadër të këtyre lëndëve ka zakonisht, të këtyre pasanikëve të pasluftës, para të pista që janë të investuara në bizneset e caktuara, pasi që këto 15 vjetët e fundit u bënë shumë pasanikë që shkenca ekonomike nuk mund ta shpjegojë me asgjë, dhe nuk ka ndonjë formulë se në rrethana normale do të mund të pasurohej dikush asisoj brenda një dekade e gjysmë. Andaj, kjo është diçka bizare, paradoksale dhe e paimagjinueshme”, ka vijuar ai.
Tutje, Smaka ka shtuar se çdo ndryshim dhe ndërrim, përfshirë edhe emërimet e reja në drejtësi, në parim ishte dashur të japin freski, por, siç tha, nuk beson aspak se edhe personat të cilët tanimë kanë marrë postet e drejtueseve të rinj të gjykatave, do të mund të bënin diçka të mirë dhe të duhur në këtë drejtim. “Këtu fajtori kryesor është pikërisht Qeveria, pasi nisur nga parimi ‘kush ka pushtet shumë natyrisht ka edhe përgjegjësi të madhe’, pasi ajo nuk ka investuar asnjëherë seriozisht në sistemin e drejtësisë, ku në këtë të fundit ka shumë vende vakante për gjykatës e prokurorë, dhe rrjedhimisht Qeveria nuk ka krijuar po ashtu as parakushtet elementare për funksionalizim”, është shprehur profesori i së Drejtës, Riza Smaka.
Mafio-politika e ka kapur shtetin
Analisti Naim Kelmendi është skeptik se do të ndryshojë gjendja aktuale në sistemin e drejtësisë pas zgjedhjes së kryetarëve të rinj të gjykatave, një gjendje që, sipas tij, është shumë e brishtë dhe jo premtuese. Kjo pasi Kelmendi thotë se vetë lufta e zhvilluar për zgjedhjen e kryetarëve të gjykatave themelore, tregon se ajo është bërë për interesa të mafio- politikës, pasi kjo e fundit në ato pozita do që t’i ketë njerëzit e vet, ashtu edhe sikur në të gjitha institucionet e tjera të shtetit të cilat janë të kapura. “Pra, si duket, sërish tërë kjo luftë e paprincipe është bërë me qëllimin e vetëm që mafio-politika dhe oligarkia kriminale edhe më tutje të drejtojë institucionet dhe shtetin me njerëz që përfaqësojnë interesat e tyre në rend të parë dhe aspak ato të qytetarit e vendit, derisa për rrjedhojë një logjikë e tillë edhe më tej do ta çojë shtetin vetëm drejt degradimit të funksionimit të institucioneve të pavarura në punën dhe funksionin e tyre, përfshirë edhe sistemin e drejtë- sisë, pra të gjyqësorit e prokurorive”, ka shtuar ai.
Kelmendi ka nënvizuar se sistemi i drejtësisë, gjykatat e prokuroritë asnjëherë nuk kanë funksionuar si të pavarura nga politika dhe ndikimet e saj, pasi sipas tij, ato më shumë kanë qenë instrument për interesa të politikës dhe oligarkëve politikë. Andaj, Kelmendi ka theksuar se një gjendje e tillë duhet të ndryshojë rrënjësisht, për ta lënë punën e institucioneve të drejtësisë në pavarësinë e tyre, ashtu sikur është çdo kund në vendet demokratike ku funksionon shteti i të drejtës dhe sundimi i ligjit.
(Kosova Sot)


