UBT

“Pa bashkëpunim nuk shkohet tutje”, Mushkolaj flet për skenarët e krijimit të institucionëve

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Sipas rezultateve të deritanishme, teksa procesi i numërimit të votave po shkon drejt përfundimit, Lëvizja Vetëvendosje prin me 46.06 për qind të votave, që i sigurojnë 52 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19.89 për qind të votave, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 17.00 për qind të votave, përkatësisht 19 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 6.86 për qind të votave, që përkthehen në 7 deputetë.

Lidhur me rezultatin zgjedhor dhe mundësitë për formimin e institucioneve të reja, për Indeksonline ka folur analisti politik Imer Mushkolaj.

Sipas Mushkolajt, zgjedhjet e 7 qershorit kanë qenë të panevojshme, pasi kanë ekzistuar të gjitha kushtet për krijimin e institucioneve pa shkuar vendi në zgjedhje të reja.

“Zgjedhjet e 7 qershorit kanë qenë të panevojshme. Nuk ka pasur absolutisht arsye për mbajtjen e tyre, pasi kanë ekzistuar të gjithë parametrat që të krijoheshin institucionet. Me këtë rezultat zgjedhor, qytetarët kanë dërguar një mesazh të qartë se pa bashkëpunim nuk mund të shkohet tutje, në kuptimin e zgjedhjes së të gjitha institucioneve”, ka thënë ai për Indeksonline.

Duke komentuar situatën aktuale politike, Mushkolaj vlerëson se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mund të synojë krijimin e një qeverie të pakicës me 61 ose 62 deputetë.

“Megjithatë, ai e ka të domosdoshme që në një formë apo tjetër të bashkëpunojë me njërën nga partitë opozitare, në radhë të parë me LDK-në, për t’u marrë vesh lidhur me zgjedhjen e presidentit”, është shprehur ai.

Sipas Mushkolajt, rezultati i LDK-së nuk i ka përmbushur pritjet që kjo parti kishte pas rikthimit të Vjosa Osmanit.

Mobi Casa

“LDK ka pritur më shumë me kthimin e zonjës Osmani. Ky është një debakël në raport me pritjet që i ka pasur. Konsideroj se LDK mund të jetë e gatshme për një marrëveshje, nëse një e tillë i ofrohet, qoftë edhe për qeverinë”, ka deklaruar ai.

Analisti thekson se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit është pothuajse i ngjashëm me atë të shkurtit të vitit të kaluar, rezultat i cili u pasua me bllokada politike.

“Sjellja e partive politike vitin e kaluar duhet të shërbejë si mësim për to, që këtë herë të ndryshojnë qasje dhe të mos e kenë në fokus bllokimin e krijimit të institucioneve, por funksionalizimin e tyre”, ka shtuar Mushkolaj.

Ai nuk përjashton mundësinë që të ketë përpjekje për zvarritjen e procesit të krijimit të institucioneve, por vlerëson se organizimi i një palë tjetër zgjedhjesh brenda vitit nuk do të ishte zgjidhja e duhur.

“Mund të jetë një skenar që zoti Kurti të zvarrisë krijimin e institucioneve dhe të synojë zgjedhje të reja në fund të vitit, kur mund të mobilizohet më shumë diaspora. Megjithatë, nuk mendoj se ky është skenari i duhur. Ai ka fituar njëherë 51 për qind të votave dhe nuk ka arritur të krijojë institucionet, prandaj do të ishte problematike të ndiqej sërish një rrugë e tillë”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, pavarësisht rëndësisë së votës së diasporës, vendimtare mbetet vullneti i qytetarëve që jetojnë në Kosovë.

“Njerëzit që jetojnë brenda Kosovës janë ata që vendosin si do të shkohet tutje, sepse janë ata që vendosin në masen me të madhe se si do të jetë rezultati i zgjedhjeve. Nuk do të isha bazu shumë, ose nuk do të isha mbështet shumë në mobilizimin e atyre që vijnë nga daspora”, thotë Mushkolaj../Indeksonline/