OVL e Dardanës reagon ndaj kritikave të OJQ “Fortesa”
Kamenicë – Organizata e Veteranëve të Luftës Dega në Dardanë, shpreh këtë reagim ndaj OJQ- Fortesa, e cila ka reaguar në lidhje me ndarjen e banesave kolektive dhe si cak sulmi është drejtuar ndaj pjesëtarit të FSK, i cili është përfitues i një banese në këtë rast.
Sa për korrektësi dhe shpjegim për OJQ Fortesa, këta persona që kanë përfituar dhe janë pjesë e vlerave të luftës ndajë të cilëve duhet të keni respekt edhe ju si OJQ, sepse janë kategori të vlerave të njohura me ligjet e Republikës së Kosovës dhe duhet të mos harroni se në një kohë kur ky vend kishte nevojë për djem që t`i dalin zot kësaj toke ishin po këta të cilët dhanë gjithçka nga vetja, lanë jetën luksoze në perëndim dhe erdhën dhe luftuan përballë një okupatori i cili ju ka luftuar edhe juve si individë dhe sot nuk duhet t`ju pengoi se nëpër konkurse ata me ligjet e Kosovës kanë përparësi dhe automatikisht kanë pikë avansi në konkurrencë me konkurruesit e tjerë.
Juve nuk ju erdhi keq asnjëherë dhe nuk ngritët zërin në mbrojtje të këtyre vlerave që tani janë të njohura ligjërisht dhe më nuk e kanë rendësin e një individi, por të një kategorie të cilat përfaqësojnë një vlerë tejet dinjitoze të shoqërisë kosovare, ju vetëm keni bërë sehir kur të gjitha komunat kanë ndarë parcela toke dhe banesa për këto kategori ju asnjëherë nuk e patë të arsyeshme të i shkruani dy rreshta për ta. Reagimi juaj më duket qyqar dhe jo profesional aspak etik sepse po shfrytëzoni portale e gazeta për tu treguar se jeni dikush, por në fakt po shkelni mbi vlera të cilat nuk e meritojnë një tretman të tillë.
Bëhuni kritik edhe për veten tuaj, kur fitoni projekte me mijëra euro nga Komuna pa kurrfarë kriteri dhe nuk i arsyetoni asnjëherë ato me kurrfarë mbulese.
Po këta për të cilët keni shkruar ju kanë fituar një avans në procese të tilla jo se ua fali dikush, por me punën e tyre dhe kontributin e tyre ata u futën në radhët e kategorive të cilat meritojnë tretman të veçantë në shoqëri andaj është e ulët nëse ju shkruani për ta vetëm pse keni qasje në media.
Pa dashtë të bëhemi gardian të komunës e as të një komisioni i cili ndau banesa për këto kategori, por është e dhimbshme që këto kategori janë detyruar të konkurrojnë në një projekt i cili fillimisht është i natyrës sociale.
OVL-UÇK-së, dega në Dardanë përmes të këtij reagimi u bënë me dije të gjitha OJQ-ve dhe portaleve se kjo kategori në Dardanë është kategoria më e pastër e cila nuk ka abuzuar me pushtetin dhe vlerat që i posedon, por ka pritur plot 15 vite, që të jetë pjesë e një përfitimi ku aspak nuk dallon me rastet sociale që kanë përfituar në këtë projekt.
Andaj gjithmonë analizoni mirë para se të shkruani sepse nuk është etike të merrni fonde nga paraja e qytetarit të Kosovës dhe të etiketoni pa bazë fare duke qenë në dijeni se këto kategori me ligje e kanë të garantuar edhe strehimin thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së dega Dardanë të nënshkruar nga kryetari Milaim Limoni./rajonipress/


