Osteoporoza

Nga Fadil Qerimi – (internist – reumatolog) – Osteoporoza vjen si rezultat i dobësimit të arkitekturës së kockës, duke rritur në këtë mënyrë rrezikun për thyerje ose fraktura spontane.

Zakonisht nuk shoqërohet me simptoma të dukshme, pra pacientët e prekur nuk kanë asnjë shenjë klinike deri në momentin që ndodh fraktura. Frakturat më të shpeshta ndodhin në kyçin e dorës, në artikulacionin koksofemoral dhe në vertebrat e shtyllës kurrizore(shoqëruar edhe me reduktim të gjatësisë trupore).

Kjo është edhe arsyeja pse nuk duhet neglizhuar kjo sëmundje, nisur nga shkalla e lartë e invaliditetit që shkakton fraktura si dhe kostoja e lartë që ka për individin dhe familjen. Prandaj, është i rëndësishme kontrolli (DEXA) si mënyra më e mirë e parandalimit.

Cila është kategoria më e rrezikuar për t’u prekur nga osteoporoza?

Faktorë e rrezikut që ndikojnë në shfaqjen e osteoporozës janë:
• Gjinia; femrat, sidomos pas një menopauze të hershme (para moshës 45 vjeç)
• Mosha (rreziku rritet pas moshës 50 vjeç)
• Insufiçienca hormonale (kryesisht të estrogjenit) nga heqja e ovareve apo mitrës te femrat
• Histori familjare me osteoporozë
• Fiziku i imët
• Dietë e varfër ushqimore me kalçium apo vitamin D
• Jeta sedentare apo qëndrim i gjatë shtrirë
• Përdorimi i tepërt i duhanit, mishit, alkoolit dhe kafesë
• Përdorimi për një kohë të gjatë i disa medikamenteve të tilla si kortizoni (më shumë se 3 muaj)

Si diagnostikohet osteoporoza?

Diagnostikimi i osteoporozës kryhet shumë thjesht me metodën e matjes së densitetit kockor (DEXA), një metodë kjo e cila, për matjen e masës kockore të trupit, përdor një tip special të rrezeve X.
Doza e rrezeve që merr pacienti/ja është shumë e vogël duke u krahasuar me më pak se 1/10 e dozës që merr një person gjatë një radiografie toraksi dhe është më e vogël se doza ditore e rrezatimit që merr gjithsecili nga ambienti rrethues.

Cilët janë ata/ato që nuk duhet t’i nënshtrohen ekzaminimit (DEXA)
Nuk rekomandohet t’i nënshtrohen ekzaminimit të matjes së densitetit kockor, DEXA, kategoritë e mëposhtme të personave:

Gratë shtatzëna

Pacientët të cilët u janë nënshtruar së fundmi ekzaminimeve të tjera diagnostike ku është përdorur lëndë kontrasti, si p.sh barium apo gastrografi

Pacientët të cilët kanë kryer më parë, në të njëjtën ditë, shintigrafi kockore

Trajtimi i osteoporozës është kompleks dhe i vështirë:
Në momentin e diagnostikimit të osteoporozës, pas vlerësimit të gjendjes së pacientit të bërë nga mjeku reumatolog, pacientit i mund t’i rekomandohet terapi me tableta nga goja ose injeksione.

Çdo pacient është i veçantë dhe si i tillë duhet trajtuar, por kjo kërkon që të studiohen mirë nga ana e mjekut specialist karakteristikat e pacientit, shkaku i osteoporozës, rezultati i trajtimit.

Tek personat e prekur nga osteoporoza rekomandohet të ndërpritet duhani, konsumimi i alkoolit me tepri si dhe rekomandohet gjithashtu edhe kryerja e aktivitetit fizik si psh. ecja apo vrapi i lehtë./rajonipress/

Dr.Fadil Qerimi
Internist-Reumatolog

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).