RCCOLA

Osmani uron qytetarët: Viti i ri, mundësi e mirë për të hapur perspektivë të re e për ta rritur shpresën

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët me rastin e ndërrimit të moteve.

Presidentja shkruan se ky vit që po lëmë pas ishte një dëshmi e qëndrueshmërisë sonë dhe shpirtit të palëkundur kundrejt sfidave.

“Viti i ri që po vjen është mundësi e mirë për të hapur perspektivë të re për të gjithë, për ta rritur shpresën, besimin dhe angazhimin se krahas me ndryshimin e viteve, do të jemi më mirë se në vitin e mëparshëm”, tha ajo.

“Të përkushtohemi që 2024-ta, të jetë vit në të cilin dëgjohet secili, vit në të cilin të gjithë do të ndihemi të vlerësuar e të përmbushur. Viti që po vjen, qoftë vit i përmbushjes së aspiratave tona si shoqëri dhe si shtet. Përpara sfidave nuk duhet të zbrapsemi, por duhet të synojmë t’i arrijmë lartësitë”, vijon Presidentja.

Mobi Casa

Presidentja ka uruar që ky vit i ri t’i sjell të gjitha të mirat për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Më shumë dashuri për të vegjlit tanë, më shumë suksese për rininë tonë, më shumë begati për punëtorët e pensionistët tanë dhe më shumë kujdes, humanizëm e solidaritet për të pambrojturit dhe për ata që kanë më së shumti nevojë. Sonte, një falënderim të veçantë për të gjithë ata që në këtë natë ndërrimi të viteve kujdesen për shëndetin dhe sigurinë tonë, si dhe për të gjithë të tjerët në krye të detyrës”.

“Viti 2024 qoftë i mbushur me shëndet, dashuri, suksese dhe shkëlqim në të gjitha fushat.

Qoftë vit arritjesh pozitive, ku veprat flasin më shumë se fjalët, ku mundësitë janë pafund e ku gëzimi, mbarësia dhe hareja na rrethojnë në çdo anë”, ka shkruar ndër të tjera Presidetja Osmani./Telegrafi/