HW

Osmani: Thaçi nuk është i denjë për t’u bërë President i Kosovës

/ 10 minuta lexim
HW

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Vjosa Osmani, e ka bërë sërish të qartë qëndrimin e saj për të mos e votuar Hashim Thaçin për President.Ajo në një intervistë për Gazetën “Zëri” është shprehur se Thaçi nuk është i denjë që të jetë i pari i vendit, pasi sipas saj këtë e ka dëshmuar gjatë kohës sa ishte kryeministër e ku imazhi i vendit është rrënuar edhe me shumë, dëshpërimi në vend është rritur dhe qytetarët e kanë humbur shpresën.

Sipas Osmanit qëndrimi i sajë për të mos e votuar Thaçin për President është vullnet edhe i elektoratit të LDK-së. Po ashtu, Vjosa Osmani ka thënë së marrëveshja e LDK-së për të bashkë qeverisur me PDK-në, është bërë për interesa individuale dhe do të prishet në atë moment ku do të ketë fërkim të këtyre interesave.

Zëri: Qëndrimi i juaj për të votuar kundër Hashim Thaçit për President në vitin 2016 tashmë është i qartë, a pritet të ndryshoj ky qëndrim për hir të respektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje që e ka bërë subjekti i juaj politik me Partinë Dekomkratike?

Osmani: Natyrisht që nuk do të ndryshojë këtë qëndrim. Në radhë të parë, për shkak se vazhdoj të mendojë se marrëveshja e koalicionit LDK-PDK e ka dëmtuar LDK-në, e si rrjedhojë edhe Kosovën, sepse LDK-ja gjithnjë është parë si shpresë për t’a larguar shtetin nga duart e zaptuesve që po parandalojnë sundimin e ligjit në vend. Si pasojë e mungesës së sundimit të ligjit, nuk po mund të shohim zhvillim në asnjë fushë tjetër. Si arsye e dytë, siç e kam thënë vazhdimisht, është fakti se nuk konsideroj se z. Thaçi është i denjë për të qenë President i vendit, në mandat 5 vjeçar. Gjatë dy mandateve të tij si Kryeministër, dëshpërimi në vendin tonë vetëm sa është rritur, imazhi vetëm sa është rrënuar edhe më shumë, qytetarët e kanë humbur shpresën se mund të kenë perspektivë brenda Kosovës dhe kemi numra shqetësues të azilkërkuesve, vendi ynë ka filluar të prodhojë raste të ekstremizmit të dhunshëm dhe të dëmtojë edhe disa
nga vlerat më fundamentale që na kanë shquar si popull, siç është toleranca ndërfetare.

Zëri: Pse ndodhin këto?

Osmani: Unë i shoh të gjitha këto si pasojë të drejtpërdrejtë të keqqeverisjes dhe shndërrimit të institucioneve të shtetit në zyra në shërbim të interesave oligarkike e kriminale. Me këto ‘merita’, të cilat nuk ja përshkruaj vetëm unë, por ja kanë thënë në një moment të karrierës së tyre politike gati secili deputet i LDK-së dhe i partive të opozitës, ai nuk do të duhej t’a merrte besimin e këtyre deputetëve që të na përfaqësonte ne, dhe gjithë Kosovën, si President i vendit.

Por, mbi të gjitha, dhe për t’a thjeshtësuar, zgjedhja e Thaçit President nuk është vullnet i elektoratit të LDK-së. Dhe, unë nuk do të shkelë mbi atë vullnet. Nëse Thaçi vërtetë mendon se ka përkrahje popullore për të udhëhequr me vendin, le t’a provojë këtë në zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale, ku fjalën e vet do t’a thonë qytetarët. Përndryshe, LDK do të bënte edhe një gabim fatal, nëse pas votimit të Kadri Veselit për të qenë në krye të Parlamentit, do të votonte edhe që Hashim Thaçi të jetë në krye të Presidencës së vendit. Nëse edhe kjo ndodhë, natyrisht që nuk do të ishte befasi që vetë PDK të nxisë zgjedhje të reja menjëherë në pranverë, në mënyrë që të fitojnë edhe qeverinë në një moment kur LDK nuk është duke qëndruar mirë para elektoratit të saj.

Zëri: Ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të dhomave të veçanta të Gjykatës Speciale u votuan. Çka tash?

Osmani: Themelimi i gjykatës speciale është një obligim ndërkombëtar të cilin Kosova e ka marrë si shtet nëpërmjet votimit që është bërë në Kuvendin e Kosovës qysh në mandatin e kaluar, kur u ratifikua shkëmbimi i letrave në mes të Znj.Ashton dhe Presidentes Jahjaga. Shumica dërmuese e detajeve rreth funksionimit të kësaj gjykate, kanë qenë të parapara në atë shkëmbim letrash, i cili mori karakterin e marrëveshjes ndërkombëtare.

Ndër të tjera, aty parashihej edhe selia jashtë vendit e kësaj gjykate, edhe gjykimet jashtë vendit, edhe mbajtja e dokumentacionit jashtë Kosovës, edhe aranzhimet speciale në të gjitha nivelet e gjyqësisë së Kosovës, përfshi edhe në Gjykatën Kushtetuese. Pra, amandamenti kushtetues që u votua tash së fundi ishte vetëm zbatim i këtyre aranzhimeve të votuara qysh në Prill 2014, dhe specifikim më në detaje i tyre. Nëse shtrohet pyetja se a ka mundur Kosova të prodhojë një rezultat më të favorshëm në këto rrethana, përgjigja do të ishte PO, sikur t’a kishim një Qeveri e cila ka treguar vullnet për t’a luftuar krimin, për të siguruar pavarësi të gjyqësorit, për të mbrojtur dëshmitarët, për të kompensuar viktimat e krimit, dhe për të vënë kryerësit e krimeve para drejtësisë.

Por, një Qeveri të tille nuk e kemi pasur, prandaj edhe rrethanat në të cilat po krijohet kjo Gjykatë janë rezultat i drejtpërdrejt i dështimit dhe papërgjegjësisë së institucioneve të Kosovës. Nuk e kemi as një gjyqësor që ka dëshmuar vullnet për t’a kryer punën e vet – pra atë që i është ngarkuar me Kushtetutë. Dhe paradoksi është që vet gjyqtarët publikisht deklarohen se Kosova nuk ka kapacitete vendore për t’u marrë me raste të ndjeshme, siç janë krimet e luftës. Pra, nuk duhet të befasohemi pse edhe 15 vite pas pavarësisë ende kemi nevoje për ndihmë ndërkombëtare në fushën e gjyqësorit.

ARKATANA

Pavarësisht vërejtjeve që mund t’i kemi në amendamentin kushtetues dhe ligjin për gjykatën speciale, kjo ka qenë e vetmja mënyrë për të parandaluar një skenar të tmerrshëm që përgatitej nga Rusia në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Nëse gjykata do të themelohej nga ky mekanizëm, atëherë kjo sipas të gjitha gjasave do të bëhej duke rikthyer fuqi ekzekutive te UNMIK-u, bazuar në rezolutën 1244, që do të nënkuptonte kthim prapa në kohën e para shpalljes së pavarësisë.

Kjo do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit të vendit dhe do të rrënonte të gjithë hapat e shtetndërtimit të arritur gjatë këtyre 7 viteve, sado e brishtë që është kjo shtetësi. Për më tepër, Këshilli i Sigurimit e ka pasur të drejtën të vendoste diçka të tillë, bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, dhe këtë autoritet e ka shfrytëzuar duke themeluar gjykata apo tribunale speciale edhe në 6 raste të mëhershme. Madje, Tribunali për ish-Jugosllavinë (me seli në Hagë) ishte themeluar në vitin 1993, në kohën kur Republika Federale e Jugosllavisë fare nuk ishte anëtare e Kombeve të Bashkuara, sepse siç e dini, ky shtet nuk ka pasur ulëse në OKB gjatë viteve 1992-2000.

Zëri: A duhet të shpërbëhet ky koalicion dhe të shkohet në zgjedhje, dhe a është bërë ky koalicion vetëm për ti votuar këto amendamente?

Osmani: Nuk besoj që individët përgjegjës për lidhjen e koalicionit LDK-PDK kanë hyrë në bashkëqeverisje për të arritur shumicën e nevojshme për gjykatën speciale. Koalicioni PDK-LDK është bërë për interesa individuale dhe do të prishet atëherë kur të ketë fërkime e përplasje të këtyre interesave.

Zëri: Si e vlerësoni performancën e Qeverisë së Kosovës gjatë këtyre nëntë muajve me në krye Isa Mustafën?

Osmani: Më shumë kam përcjellur dy fusha specifike: politikën e jashtme, përfshirë procesin e integrimit evropian, si dhe fushën e drejtësisë. Sa i përket të parës, siç shihet qartë, procesi i njohjeve ka stagnuar dhe nuk ka rezultate të rëndësishme sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare që do të kishin ndikim në fuqizimin e shtetësisë.

Përjashtim natyrisht bënë ndërkombëtarizimi i sportit, meqë gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur disa anëtarësime në organizata jashtëzakonisht të rëndësishme sportive, por këto janë meritë e Ministrisë së Kulturës.

Pra, z. Thaci nuk ka treguar ndonjë sukses si ministër i jashtëm. Shërbimi diplomatik i Kosovës vazhdon të jetë skajshmërish i politizuar dhe joprofesional, dhe premtimet se do të punohet në përmirësimin e kësaj gjendjeje po shihet se nuk janë askund. Në anën tjetër, Kosova vazhdon të ketë mungesë të sundimit të ligjit, si sfida kryesore me të cilën po ballafaqohemi vite me radhë.

Nuk ka as hetime të disa nga skandaleve më të mëdha korruptive që kanë ndodhur tash e disa vite dhe si rrjedhojë, vendi dhe qytetarët po pësojnë, në veçanti duke mos përfituar nga liberalizimi i vizave. Sa i përket zhvillimit ekonomik, ju e dini që janë marrë një numër vendimesh dhe janë miratuar disa ligje që paraqesin reformë fiskale, mirëpo besoj që do të merë kohë që të shihen efektet e vërteta të këtyre vendimeve. Shpresoj që efektet pozitive të shihen sa më shpejtë dhe Qeveria të fillojë të merret me probleme reale të qytetarëve, sepse shumë energji dhe kohë po shpenzohet në dialogun me Serbinë, ndërkaq e kemi parë që ky proces nuk ka pasur efekt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Vetë numri jashtëzakonisht i madh i azilkërkuesve gjatë viteve 2014-2015 e dëshmon këtë. Është detyrë primare e Qeverisë, por edhe e të gjithë ne që jemi votuar si përfaqësues të qytetarëve, që të gjejmë rrugë që qytetarëve t’u kthejmë shpresën në vendin e tyre, duke ju ofruar perspektivë për një jetë me kushte optimale për t’u shkolluar, punuar, dhe për të pasur shërbime të mira sociale e shëndetësore. Tashmë nuk mund më t’i ikim përgjegjësisë apo të arsyetohemi duke thënë se Kosova është shtet i ri. Pesëmbëdhjetë vite nuk janë pak. Ka ardhur koha që të qëndrojmë në këmbët tona dhe të marrim përgjegjësi si shtet dhe si popull.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.