Osmani: Thaçi dhe Pacolli po marrin përkrahjen e Rusisë për kufijtë e Kosovës

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet tani tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Behxhet Pacolli po marrin përkrahjen e Rusisë për hapjen e çështjes së kufijve të Kosovës, raporton “Zeri.info”.
“Dhjetë vite pas pavarësisë bartësit e politikës së jashtme të Kosovës kanë arritur që përmes hapjes së temës së ndryshimit të kufijve të hapin çështjen e statusit të Kosovës, duke atakuar qenësinë e shtetit tonë. Presidenti i vendit i cili po dështon të marr përkrahjen e partive ka gjetur një aleatë, ministrinë e punëve të jashtme Behgjet Pacolli. Të dy këta kanë marrë përsipër ta hapin këtë temë me përkrahjen e Rusisë”, tha ajo.
Osmani kritikoi edhe Qeverinë Haradinaj për izolimet që po i bëhen Kosovës.
“Qeveria dhe presidenti kanë arritur ta shkatërrojnë orientimin gjeostrategjik, duke rrezikuar miqësitë e krijuara nga vitet e 90-ta. Nga presidenti kur kërkohet që të mos nënshkruaj asgjë pa bekimin e Gjermanisë ai mburret se e ka bekimin e Rusisë. Kosova deri tani ka shënuar vetëm një njohje. Kosova është e çorientuar në politikën e jashtme dhe e izoluar edhe politikisht dhe në aspektin diplomatik”, tha ajo.
Ajo në fund kërkoi miratimin e një rezolute e cila do të ndalonte çdo përpjekje që do të kontestojë shtetësinë e Kosovës si dhe dorëheqjen e Qeverisë Haradinaj.
“Ne si deputetë do të kemi kohë ti japim argumentet tona për të gjitha temat. Duam që në fund të debatit të miratohet rezoluta me pikën e vetëm :Me qëllim të ndërprerjes së çdo përpjekje që konteston shtetësinë subjektivitetin ndërkombëtarë dhe integritetin territorial. Qeveria të dorëhiqet për ti hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja”, shtoi ajo. /ZERI