UBT

Osmani takon Ndihmës Sekretarin Ruge: Anëtarësimi në NATO prioritet për Kosovën, hapja e Urës së Ibrit si akt integrimi

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge.

Osmani në një postim në Facebook ka thënë se e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që NATO i jep Kosovës.

“Sot, në takim me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge ritheksova mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka shtuar se Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë.

Eco Higjiena

Ndërkaq sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes thuhet se në takim u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, me ç’rast, Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

“Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës.

Tutje, Presidentja Osmani e uroi Ruge për samitin e suksesshëm të NATO-s në Washington D.C., ku Republika e Kosovës u përfshi për herë të parë në një sërë aktivitetesh në kuadër të samitit, me ftesë të Presidentit Biden dhe Sekretarit Blinken, e ku u riafirmua uniteti transatlantik dhe mbështetja e përbashkët për Ukrainën”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/