Mobi Casa

Osmani takoi shefin e diplomacisë italiane, flasin për rëndësinë e marrëveshjes dhe aneksit të dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua sot në Romë me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Italian, Antonio Tajani, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, marrëdhëniet bilaterale, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit për kultivimin dhe ruajtjen e kulturës dhe identitetit të arbëreshëve në Itali.

Presidentja Osmani dhe zv. Kryeministri Tajani diskutuan për rëndësinë e marrëveshjes dhe aneksit të dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë së fundi në Bruksel dhe në Ohër, si dhe për rëndësinë e kontribuimit të vazhdueshëm për paqe e stabilitet në rajon.

Në njoftim thuhet se, Osmani potencoi se Republika e Kosovës ka dëshmuar sërish konstruktivitetin e saj në proces dhe poashtu zotimin për të zbatuar atë për të cilën është dakorduar, duke qenë palë serioze dhe plotësisht e përkushtuar për dialog.

Në anën tjetër, Presidentja shtoi se pritjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës janë që do të përmbushen edhe zotimet e partnerëve tanë, me theks të veçantë në integrimin e Kosovës në strukturat eurotlantike.

Eco Higjiena

Presidentja e shtroi çështjen e votimit në Këshillin e Europës duke theksuar urgjencën e një vendimi të tillë si dhe rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, religjioni apo përkatësie tjetër.

Presidentja Osmani dhe zv.kryeminstri Tajani u pajtuan për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke e zgjeruar nivelin e marrëveshjeve të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë atë për njohjen e patentëshoferëve të Kosovës, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet forumit të bizneseve që do të organizohet së shpejti në mes të Kosovës e Italisë, thellimit të bashkëpunimit kulturor, arsimor, etj.

Presidentja Osmani diskutoi me z. Tajani edhe për angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për avancimin e mëtejmë të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, me ç’rast i përmendi vlerësimet pozitive të raporteve kredibile ndërkombëtare.

Presidentja e njoftoi zv. Kryeministrin Tajani për vizitën e zhvilluar në Kalabri në mesin e komunitetit arbëresh. Ajo foli për rëndësinë e promovimit të mëtejmë dhe kultivimit e ruajtjes së kulturës dhe identitetit të arbëreshëve në Itali, si dhe për projekte të përbashkëta që mund të shtyhen përpara me këtë qëllim ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Italisë. /Telegrafi/