UBT

Osmani: SHBA-të asnjëherë nuk kanë kërkuar të heqim dorë nga njohja reciproke – për çështjen e targave presioni të drejtohet në Serbi e jo në Kosovë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk kanë kërkuar nga Republika e Kosovës një marrëveshje finale me Serbinë, pa njohje reciproke.

“Është rikonfirmuar edhe nga partnerët tanë strategjik, që njohja reciproke është e vetmja zgjidhje që sjell paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë. Janë tjetër gjë propozimet për marrëveshje specifike që diskutohen në Bruksel siç është çështja e energjisë, të zhdukurve me dhunë etj. Nuk ka pas kërkesë qoftë nga SHBA ose partnerët e BE-së që Kosova të heq dorë nga kërkesa për njohje reciproke”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se njohja reciproke është domosdoshmëri të jetë pjesë e marrëveshjes finale.

Duke folur për çështjen e targave dhe kërkesën e emisarit të SHBA-ve që vendimi për konvertimin e tyre të shtyhet edhe për 10 muaj, Osmani u shpreh se çështja e targave është mbi të gjitha çështje e sundimit të ligjit.

“Mbi 90% e serbëve që jetojnë në Kosovë i kanë konvertuar targat e paligjshme në targat e Kosovës. Sa i përket një pakice që ende nuk i ka konvertuar targat dhe i shfrytëzojnë tagrat e kohës së Millosheviqit kërkesa jonë është që të respektohet ligji. Është e pamoralshme që targat e Millosheviqit të ecin lirshëm në Kosovë, duhet tu jepet fund bandave kriminale që kërcënojnë qytetarët tanë serb”, ka thënë Osmani.

Eco Higjiena

Presidentja theksoi se nëse për vite me radhë kërkesa e partnerëve ndërkombëtar ka qenë sundimi i ligjit, atëherë të mbështesin Kosovën që vetëm atë po e bënë.

“Partnerët tanë ndërkombëtar nëse për vite kanë kërkuar që Kosova të punoj në sundimin e ligjit, ne këtë po e bëjmë. Andaj pres nga partnerët tanë që të na mbështesin në sundim të ligjit në trajtimin e të gjithëve në mënyrë të barabartë”, u shpreh Osmani.

Osmani shtoi se veprimet e institucioneve të Kosovës janë vetëm për rend e ligj e asnjëherë për tensionim.

“Të vetmet veprime që kontribuojnë për tensionim janë kërcënimet, frikësimet, djegiet e makinave e shtëpive që po bëhen nga strukturat ilegale që mbështeten e financohen nga Vuçiqi. Fokusi duhet të jetë aty te burimi i tensioneve e shantazheve, ai burim nuk ka qenë e as nuk është në Kosovë, ai burim ka qenë edhe është sot vetëm në Serbi, aty duhet të drejtohet presioni e jo në Kosovë”, tha Osmani. /Telegrafi/