RCCOLA

Osmani: Serbia ka përgjegjësi të drejtpërdrejt për krimet e kryera në Kosovë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krimet e kryera në Kosovë, përfshirë ato të dhunës seksuale.

Për drejtësinë për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, Osmani ka biseduar me një grup të Rrjetit të Grave të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, të cilat i ka pritur në takim.“Serbia mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krimet e kryera në Kosovë, përfshirë edhe krimet seksuale ndaj grave”, ka thënë Osmani.

Udhëheqësen e grupit të grave, Chantal Soucy, Osmani e ka njoftuar edhe me përgatitjet për Forumin për Gruan, Paqen dhe Sigurinë, i cili sivjet do të mbahet për herë të dytë dhe e ka ftuar atë dhe gratë parlamentare te Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë që të marrin pjesë në të.

Komunikata e plotë:

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot një grup të Rrjetit të Grave të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, të udhëhequra nga znj. Chantal Soucy, kryetare e Rrjetit të Grave Parlamentare, njëherësh nënkryetare e Asamblesë Kombëtare të Kebekut në Kanada.Presidentja Osmani i uroi znj. Soucy 120-vjetorin e themelimit të Rrjetit të Grave parlamentare brenda Organizatës së Frankofonisë dhe shprehu mirënjohjen e Kosovës për kontributin të cilin kjo organizatë e ka dhënë në kultivimin dhe promovimin e vlerave frankofone nëpër botë.

UBT

Kosova si anëtare e kësaj organizate është aktive në promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me vendet anëtare të Frankofonisë dhe kultivimin e vlerave të përbashkëta, të cilat i promovon kjo organizatë.Ajo po ashtu shprehu kënaqësinë që, si pjesë e bashkëpunimit të shkëlqyer, të cilin institucionet e vendit tonë e kanë me këtë organizatë, sot në Kuvendin e Republikës po mbahet Seminari parlamentar i këtij rrjeti.Presidentja dhe delegacioni i Rrjetit të grave të Asamblesë Parlamentare diskutuan edhe për kujdesin të cilin institucionet e Kosovës po e tregojnë për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë dhe përpjekjet që, krahas përkrahjes, të sigurohet edhe drejtësi për to.“Serbia mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krimet e kryera në Kosovë, përfshirë edhe krimet seksuale ndaj grave”, tha Presidentja Osmani.

Presidentja e njoftoi znj. Soucy edhe me përgatitjet për Forumin për Gruan, Paqen dhe Sigurinë, i cili sivjet do të mbahet për herë të dytë dhe e ftoi atë dhe gratë parlamentare te Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë që të marrin pjesë në të.

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, tha Presidentja, “shërben si instrument i rëndësishëm për promovimin e të drejtave të grave dhe përparimin e mëtejmë të pozitës së tyre në shoqëri dhe pjesëmarrje më të lartë në jetën institucionale”.

Znj. Soucy u shpreh e lumtur për vizitën dhe theksoi se do të vazhdojë të punojë për promovimin e mëtejmë të lirive dhe të drejtave të grave.