RCCOLA

Osmani, senatorit Jack Reed: Synimi i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO, Këshillin e Evropës dhe në BE

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim senatorin Jack Reed, i cili është kryesues i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-së.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova është një histori suksesi e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikë në rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit.

“ShBA-të nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës, e cila e ka popullin më proamerikan në Evropë dhe në botë”, ka theksuar presidentja.

Më tej, ka falënderuar senatorin Jack Reed për mbështetjen e ShBA-së për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), respektivisht përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024.

Osmani në takim me delegacionin e Kongresit Amerikan ka potencuar se synimi i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO, sikurse edhe në Këshillin e Evropës dhe në BE.

Uji Dea

“Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe (PfP), ndaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij procesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në PfP si hap që i paraprinë anëtarësimit në NATO”, tha Osmani.

Ndërkaq në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë, Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa për shtensionimin e situatës në veriun e vendit, porse ka vërë në dukje veprimet destabilizuese të Serbisë dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë.

Ajo, poashtu ka theksuar se Kosova është shtet multietnik, Kushtetuta e së cilës garanton nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve.

Sipas Osmanit këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave të shoqërisë së Kosovës dhe si të tilla duhet të mbeten të paprekura.