UBT

Osmani për draft-statutin: Ka çështje që krijojnë dykuptimësi, duhet të sqarohen patjetër

/ 2 minuta lexim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar sa i përket draftit të statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ajo ka thënë se ka çështje që duhet të sqarohen sepse krijojnë dykuptimësi dhe sipas saj mund të krijojnë probleme në praktikë.

“Në qoftë se drafti procedohet në Gjykatën Kushtetuese, atëherë si presidente e vendit do t’i dorëzoj komentet, unë kam punuar në analizë të këtij dokumenti. Komentet me shkrim të cilat i kam përgatitur i kanë të gjithë akterët relevantë, të cilët kanë qenë të involvuar në përgatitjen këtij drafti, përfshirë BE dhe SHBA. Ka çështje që patjetër duhet të sqarohen sepse krijojnë dykuptimësi, rrjedhimisht do të mund të shkaktonin probleme në praktikë, me shpresën që ato mund të eliminohen edhe në këtë fazë, pra para se të shkojë drafti në Gjykatë Kushtetuese, mirëpo në qoftë se jo, jam e bindur që Gjykata do t’i sqarojë ato duke u bazuar edhe në interpretimet e vetë gjykatës që i ka dhënë në vitin 2015, shumë prej të cilave janë si parime udhërrëfyese tani për çfarëdo asociacioni”, tha ajo.

Uji Dea

Sipas Osmanit, në vitin 2015 nuk ka pasur draft të statutit por dokument parimesh. Ajo tha se shumë prej parimeve të vitit 2015 janë shpallur kundërkushtetuese dhe se shumë prej tyre nuk janë në draftin aktual.

“Në vitin 2015 nuk ka pasur draft të statutit, në vitin 2015 ka pasur një dokument parimesh i cili është dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Shumë prej atyre parimeve të vitit 2015 janë shpallur kundërkushtetuese nga Gjykata Kushtetuese dhe shumë prej tyre nuk janë tani në draftin aktual. Janë dy tri gjëra që krijojnë dykuptimësi, dhe natyrisht që ato duhet të adresohen qoftë para se të shkojë drafti në Kushtetuese, qoftë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, por patjetër duhet të sqarohen përfundimisht, në mënyrë që të mos lejohet të hyjnë në fuqi ashtu siç janë sepse mund të krijojnë probleme në praktikë”, tha ajo. /GazetaExpress/