Osmani në SHBA: Trump parandaloi një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.
“Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit”, tha presidentja Osmani, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por “për zhvillime shumë, shumë të vona”.
Ajo i bëri komentet gjatë një ligjërate në Uashington, ku, po ashtu, rikujtoi sulmin e shtatorit 2023 në Banjskë, duke e cilësuar atë si një “akt agresioni” nga Serbia – “të përgatitur tërësisht brenda Serbisë”.
“Ndaj, nuk duhet ta mohojmë mundësinë, sepse ka ndodhur më parë”, tha Osmani, duke iu referuar sulmit të armatosur të një grupi serbësh kundër Policisë së Kosovës, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
“Meqenëse ka ndodhur më parë, parandalimi dhe frenimi janë thelbësorë. Dhe, ndonjëherë, parandalimi dhe frenimi kërkojnë më shumë sesa vetëm praninë e ushtrisë. Kërkojnë edhe udhëheqje politike. Duhet një telefonatë, një paralajmërim, dhe kjo është pikërisht ajo që ndodh kur Amerika merr një rol udhëheqës”, u shpreh ajo.
Në fjalën e saj, presidentja Osmani paralajmëroi se rreziqet nga Serbia janë të vazhdueshme dhe tha se ato nuk duhen nënvlerësuar.
Për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “ka mbetur i ngujuar në mendësinë e viteve ’90” dhe se dëshmi për këtë është sulmi i vitit 2023 në Banjskë.
Ajo tha se Kosova punon ngushtë me të gjitha nivelet e Qeverisë amerikane – qoftë në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, të mbrojtjes apo të politikës – me synimin që “së bashku të mbrojmë dhe ruajmë paqen”.
“Ne kemi institucionet tona që po bëjnë një punë të shkëlqyer në mbledhjen e informacioneve dhe punojmë me partnerë individualë, për të konfirmuar informacionet që mbledhin institucionet tona. Pra, nuk jemi kurrë vetëm”, tha Osmani.
Njëkohësisht, ajo vlerësoi edhe ushtarët e misionit të NATO-s, KFOR, në Kosovë, duke thënë se ata bëjnë “një punë të shkëlqyer në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit”.
Duke folur për takimet që po zhvillon në SHBA dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, Osmani tha se administrata e presidentit Trump ka ide të reja për t’i forcuar më tej ato.
“Ne duam të ulemi me partnerët në këtë administratë për t’u shpjeguar se si Kosova ka këtë potencial. Kjo, natyrisht, është në interes të popullit tonë, në interes të vendit tonë dhe në interes të rajonit tonë. Por, në të njëjtën kohë, kjo përputhet me prioritetet e administratës Trump për ta bërë Amerikën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se në takime me zyrtarët amerikanë, nuk është diskutuar për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – “për herë të parë pas shumë vitesh”.
“Kemi për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara. Për herë të parë, nuk kemi folur për Serbinë. Perfekt. Ishin biseda perfekte”, tha Osmani, pa hyrë në shumë detaje.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përmendur disa herë ndërmjetësimin e tij në raportet mes Kosovës dhe Serbisë si shembull të rolit të SHBA-së në parandalimin e konflikteve.
Kosova dhe Serbia, gjatë mandatit të parë të presidentit Trump, në shtator të vitit 2020, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik, në praninë e tij.
Kjo marrëveshje, e cila përfshinte edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar në tërësi./Radio Evropa e Lirë/