UBT

Osmani në 23-vjetorin e Masakrës së Dubravës: Lufta jonë për liri vuloset kur drejtësia të vihet në vend

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 23-vjetorin e Masakrës së Dubravës, në të cilën regjimi gjenocidal vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë.

Ajo ka thënë se pllaka me emrat e të vrarëve e vendosur në hapësirën e Burgut të Dubravës do të jetë dëshmi e përhershme e egërsisë së regjimit gjenocidal serb.

“Ai mbajti padrejtësisht në burg shqiptarët, e më pas i ekzekutoi barbarisht. Ky krim makabër mbetet ende i pandëshkuar. Ka dëshmitarë të mbijetuar, ndaj drejtësia duhet ta bëj punën e vetë duke sjellë autorët e krimit para përgjegjësisë”, thuhet në përkujtimin e presidentes Osmani.

Tutje, ajo ka theksuar se lufta e Kosovës për liri dhe shtet do të vuloset kur drejtësia të vihet në vend për të gjitha krimet që ka bërë regjimi serb.

Masakra në Burgun e Dubravës ka ndodhur nga 19 deri më 22 maj 1999. Në Dubravë të Istogut ka ekzistuar burgu famëkeq i Dubravës, ku forcat policore serbe, gardianë e paramilitarë serb prej 19-22 maj 1999 kanë vrarë e masakruar në këtë burg më shumë se 100 të burgosur nga viset e ndryshme të Kosovës.

RCCOLA

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i cili i ka mbijetuar Masakrës në Burgun e Dubravës, në 23-vjetorin e kësaj ngjarje ka thënë se Prokuroria duhet të “zgjohet nga gjumi”.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të enjte, Dugolli ka deklaruar se Prokuroria duhet të dëgjojë rrëfimet e të mbijetuarve, ndërsa sipas tij, nuk do të ketë nevojë që të nxirret ndonjë vendim për dëshmitarë të mbrojtur. /Telegrafi/

“Nuk po kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi. Të gjithë ne do të dëshmojmë vetëm të vërtetën”, ka thënë ai.

Tutje, Dugolli ka thënë edhe pas 23 vitesh, të mbijetuarit e kësaj masakre i kujtojnë përgjegjësit dhe ekzekutorët.

“Këtu janë emrat e të vrarëve e të masakruarve shqiptarë në Burgun e Dubravës. Sot, edhe pas 23 vitesh neve të mbijetuarve na shfaqen para syve skenat e llahtarshme të vrasjeve së bashku me klithmat e vëllezërve tanë që shuheshin para plumbave e granatave të hedhura mbi trupat tanë. Ne ende i mbajmë mend përgjegjësit e ekzekutorët që i kishin vënë maskat në fytyrë për të mos u dalluar”, ka shtuar ai./Telegrafi/