Fundamenti

Osmani: Kulmi i palestrës në Gjilan të sanohet me urgjencë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Sporti sa është i bukur është dhe i lodhshëm, sa është emocionalisht po aq dhe sfidues, por sporti mbi të gjitha veç talentit kërkon sakrifica, kërkon përkushtim dhe kërkon qëndrueshmëri. Për të përvetësuar këto cilësi nevojitet një KONTINUITET, kontinuitet në punë, kontinuitet në gara, kontinuitet në rezultate.

Në profesionalizëm për ekipet dhe sportistët cilësor kjo vlerë është qenësore dhe jetike. Ata janë të vetëdijshëm prandaj me mund të madh këmbëngulin të ruajnë përditshmërinë e punës, të rezultateve dhe të konkurrencës. Por edhe të gjithë ata që në karrierën e tyre sportive kanë qenë profesionist ose sportin e kanë vështruar nga prizmi profesionalist e kuptojnë që çdo ngecje në vazhdimësinë e aktiviteteve të kthen në nivelin fillestar e prapësimi përgatitor nënkupton vdekje të sportistëve kulminant në luftën e rreptë të mbijetesës dhe lavdisë.

Pikërisht kjo po ndodh me ekipet sportive dhe sportistët Gjilanas që ushtrojnë, garojnë dhe mbijetojnë në palestrën sportive të qytetit të Gjilanit që sa herë bie shi duhet të ndërpresin ushtrimet dhe aktivitetet e përditshme dhe të anulojnë garat e rregullta.

Vetëm ata që SPORTIN e kanë përjetuar si profesionist dhe sportin e kanë kuptuar e zhvilluar si profesionist mund të vlerësojnë dëmet e pa rikuperueshme të ndërprerjeve të tilla, e që me gjasë në njësinë përkatëse të sportit pranë kryetarit nuk gjinden kuadro të tillë që të dallojnë sportin REKREATIV nga ai profesionist.

KKVITI

Dëshirojmë të bëjmë me dije organeve komunale se sportistët dhe klubet sportive që përfaqësojnë qytetin tonë me dinjitet nuk janë sportistë me KORRESPONDENCË, por janë krenaria dhe shpresa e qytetit të Gjilanit prandaj dhe u duhet krijuar atyre kushtet e vazhdimësisë optimale edhe në rrethana të vështirësuara, mu për këtë meremetimi i kulmit të palestrës në Gjilan duhet trajtuar me urgjencë ndërsa sanimi dhe evitimi i dëmeve edhe më të mëdha të shkaktuara nga rrjedhja e kulmit të mos mbeten në mëshirën e mbarëvajtjes së sportistëve që zhvillojnë aktivitetin në palestër e të cilët me kova e mjete tjera improvizuese përpiqen të shpëtojnë ato të mira materiale që u dhuron kjo palestër e ndërtuar me sakrificën shumëvjeçare të popullatës së kësaj treve.

Gjerë atëherë klubeve sportive dhe sportistëve u mbetet të luten në ZOT që reshjet të pushojnë e kulmi të mos pikoj, mbase edhe ndonjë selfie individuale për facebook në përpjekjet e tyre që ushtrimet t’i zëvendësojnë me kontribut për shpëtimin dhe mbarëvajtjen e aseteve të palestrës./rajonipress/

Nehat OSMANI – KRYETAR I NËNKOMITETI PËR SPORT – LVV