Hidromorava

Osmani: Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në dialogun me Serbinë

/ 2 minuta lexim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Nënsekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për Operacionet e Paqes, Jean-Pierre Lacroix.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se në takim është diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

“Theks i veçantë i këtij takimi ishte progresi edhe sukseset në forcim të demokracisë dhe sundimit të ligjit, të cilat tanimë njihen ndërkombëtarisht”, thuhet në njoftim.

Tutje, Presidentja Osmani foli edhe për potencialin e jashtëzakonshëm të Republikës së Kosovës, si dhe nevojën për bashkëpunim me qëllim të kapitalizimit të këtij potenciali. Ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për nevojën që të punohet ngushtë me institucionet e OKB-së në drejtim të mbështetjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Fidanishtja

“Presidentja Osmani potencoi se është e rëndësishme që të ketë angazhim të drejtpërdrejt me të mbijetuarit, gjë që është edhe në frymë të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Presidentja ka thënë se Kosova shërben si shembull për promovimin dhe avancimin e kësaj agjende, jo vetëm në Kosovë, por globalisht”.

Osmani theksoi se organizimi i vazhdueshëm i Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është shembull i përkushtimit të Republikës së Kosovës për avancimin e kësaj agjende, duke synuar krijimin e një mjedisi më të sigurt, më paqësor dhe më gjithëpërfshirës për gratë dhe vajzat, duke e fuqizuar rolin e tyre në çdo proces.

Në këtë drejtim, Lacroix theksoi se kjo agjendë është gjithashtu prioritet i lartë i Kombeve të Bashkuara.

“Mbi temën e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Presidentja ka ritheksuar edhe një herë qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës se UNMIK-u e ka përfunduar qëllimin e mandatit. Në mes tjerash, në takim u fol edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces dhe e përkushtuar për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon”. /Telegrafi/