UBT

​Osmani: Kemi zotim nga aleatët se Kosova do të bëhet anëtare e merituar e bashkësisë ndërkombëtare

/ 3 minuta lexim

Presidentja Vjosa Osmani, në një ligjëratë të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, ka folur për momentumin e ri të integrimit ndërkombëtar të Kosovës, si dhe për zhvillimet e fundit në vend, rajon dhe Evropë.

Osmani ka thënë se Republika e Kosovës është një histori suksesi dhe për këtë të gjithë ndjehen krenarë.

“Krenarë ndjehen jo vetëm populli i Kosovës por edhe aleatët tanë që shpëtuan këtë popull. Duke na shpëtuar jetët, aleatët na dhëna një shancë për të ndërtuar shtet dhe për të jetuar të lirë, për të ndërtuar institucione demokratike që janë shembull edhe për Ballkanin”.

Presidentja thotë se populli i Kosovës ka zgjedhur rrugën euro-atlantike dhe këtë e ka bërë pa ndonjë imponim.

“Rrugëtimi ynë euro-atlantik është vizion i yni që kur ekzistojmë. Këtë rrugë na ka trasuar edhe i pari i shtetit tonë Ibrahim Rugova”.

Osmani ka folur edhe për marrëveshjen e arritur me Serbinë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Fundamenti

“Paraqet një momentum të ri për Kosovën. Ka marrëveshje në mes të dy palëve të barabarta, që respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial. E bardha në të zezë thotë që marrëveshja është obligative – që Serbia nuk do ta pengojë Kosovës të anëtarësohen në asnjë organizatë ndërkombëtare”, është shprehur Osmani.

Ajo theksoi se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme pavarësisht se s’ka nënshkrime.

“Kjo marrëveshje paraqet obligime ligjore, ndonëse disa mund të thonë jo, ose se nuk ka nënshkrim. Bashkimi Evropian është angazhuar që ta bëjë ligjore”.

“Ka momentum të ri për njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”.

Momentumi i ri për Kosovën, sipas Osmanit, lidhet me njohjet e Kosovës dhe pranimin e saj në organizata ndërkombëtare.

“Tani kemi një momentum të ri për njohjen ndërkombëtare nëse flasim për shtete individuale dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Tani në fakt, më pak kemi të bëjmë me marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë, por më shumë si një zotim që kemi marrë nga partnerët tanë që do të ketë një shtytje të madhe të fortë që të bëhet Kosova anëtare e merituar e bashkësisë ndërkombëtare.”, ka thënë Osmani./Telegrafi/