Eko Higjiena

Osmani jep detaje për takimin me Haradinajn, shpreh keqardhje për refuzimin e LDK-së e PDK-së

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilin ka këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend.

Siç njoftohet, presidentja ka shprehur keqardhje që partitë e tjera opozitare kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Republikës së Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka ritheksuar se në përputhje me Kushtetutën do të vazhdojë të angazhohet në përfaqësimin e unitetit qytetar, mbrojtjen e kushtetutës, ruajtjen dhe fuqizimin e aleancave strategjike, sikurse edhe krijimin e një klime konstruktive për t’i adresuar sfidat dhe çështjet e rëndësishme në Republikën e Kosovës.

Mobi Casa

Sipas Osmanit, kontributi i secilit lider dhe subjekti politik është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë nacionale me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar.

Pavarësisht kësaj, Osmani ka bërë të ditur se dera e zyrës së saj vazhdon të jetë e hapur për liderë institucionalë dhe parti politike, në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror.

Osmani gjatë dites pati takime edhe me kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Zëvendëskryeministren, Ministren e Punëve të Jashtme si dhe ministrat e dikastereve të tjera, transmeton Telegrafi.