Osmani: Ibadete Hyseni e politizojë qëllimisht rastin

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Aktivistja për të drejtat e njeriut e posaçërisht të grave në komunën e Vitisë, Abide Osmani, duke folur për incidentin në administratën komunale të Vitisë, në mes zyrtares për barazi gjinore Ibadete Hysenit dhe shefit të personelit Hysen Ymerit, e ka quajtur rastin si çështje politike, e posaçërisht tani kur një parti politike në këtë rast PDK është e ndarë në dysh ku të dy grupet synojnë zgjedhjet lokale.

Abide Osmani e cila udhëheq OJQ “Legjenda” në Viti ka thënë se incidenti i përfolur jashtë mase edhe në opinionin publik dhe në media të ndryshme, ishte vetëm një fjalosje, e cila mund të na ndodhë kudo dhe gjithkujt, e cila në fakt, ka karakter politik dhe synon nëpërkëmbjen e qeverisjes së kryetarit aktual Nexhmedin Arifit.

“Vetë aktualizimi i incidentit nga zonja Hyseni, ka qëllim për të dëmtuar udhëheqjen aktuale, gjë që një veprim i tillë shkon në favorin e vet asaj për përfitimin e poenëve të caktuar dhe arritjen deri në strukturat gjegjëse të partisë së saj. Një veprim i ngjashëm ka ndodhur edhe në vitin e kaluar, kur nga përfoljet kundër punës së institucioneve gjegjëse të komunës, PDK, ka ftuar Ibadete Hysenin për t`i bashkangjitur PDK-së e cila deri në atë kohë ajo nuk e kishte parë as ëndërr dhe ishte kundër këtij subjekti politik”, shprehet Osmani.

Fundamenti

Osmani thotë se për vetë faktin se me sulmin e ashtuquajtur nuk është njoftuar as grupi i grave të komunës së Vitisë, por as “Legjenda” si organizatë për të drejtat e grave, e cila në këtë drejtim punon për rreth 3 dekada me radhë, ne konkludojmë se ky është vetëm një nga synimet e zonjushës Hyseni, e cila me vetë iniciativat e saja dhe mekanizmat e tjerë mbrojtës, kjo fjalosje është ekzagjeruar aq shumë saqë është e kotë për një kohë të gjatë të merren opinionet nga qarqet e ndryshme të vendit.

Sipas Osmanit veprimet e tilla përveç që qojnë në zbehjen e imazhit të gjinisë femërore, kjo ndikon negativisht edhe në imazhin e Kosovës, e cila shpesh kritikohet nga ndërkombëtarët dhe ka parakusht respektimin e barazisë gjinore për inkuadrimin e saj në bashkimin evropian. “Rreth tre dekada me radhë, ne kemi vepruar për edukimin dhe vetëdijesimin e gjinisë femërore për të drejtat e tyte, por assesi që gjinia në fjalë të veproj jashtë rregullave të lojës. Andaj në emër të OJQ ,,Legjenda, dhe Grupit të Grave të komunës së Vitisë, në të cilën bëjnë pjesë edhe këshilltaret e asamblesë komunale, kërkojmë që ky rast nga organet gjegjëse të komunës, gjykata, policia, mjekët specialist e mekanizma të tjerë të kryejnë punën e tyre me maturi dhe profesionalizëm dhe të mos bien pre e ndikimeve politike, që nxisin urrejtje dhe konflikte në mes njerëzve kush do qofshin ata” ka thënë Osmani./rajonipress/