Osmani flet për takimin në Ohër: Faktori ndërkombëtar të bëjë presion mbi Serbinë dhe ta penalizojë nëse refuzon ta respektojë marrëveshjen
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për dakordimin mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e Ohrit.
Osmani ka shtuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë presion mbi Serbinë që ajo t’i respektojë obligimet për të cilat kanë rëndë dakord.
“I gjithë presioni duhet të jetë mbi Serbinë që ajo t’i respektojë obligimet që i ka ndërmarrë. E kuptoj që nënshkrimi si i tillë nuk është i domosdoshëm për ta bërë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. I gjithë angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë te Vuçiqi që për ato të cilat ai është dakorduar e që në esencë përbëjnë njohje ‘de facto’ të Kosovës, sepse kur ia njeh dikujt sovranitetin e integritetin. Këto janë elementet kryesore të shtetësisë. Mungon vetëm një letër njohje që ende nuk e ka nënshkruar. Duhet të ketë penalizim të qartë për Serbinë”, tha Osmani.
Presidentja shtoi se “Serbia akoma pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, njëlloj siç ndodhi edhe në shkurt, e përsëriti të njëjtin veprim edhe në mars. Pra tregoi që premtimet që i kanë dhënë në kuadër të dialogut nuk kanë asnjë vlerë për të, as politike as juridike. Dhe rrjedhimisht njoftoi edhe komunitetin ndërkombëtar se nuk do t’i zbatojë obligimet që dalin nga marrëveshja bazë dhe aneksi”.
“Pavarësisht asaj që u dakorduan në Ohër, teksti i marrëveshjes bazë mbetet i njëjtë dhe nuk ndryshohet. Neni 4 i asaj marrëveshje që e obligon Serbinë që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare pa përjashtim, mbetet në fuqi”, tha ajo.
“Neni 1 dhe 2 që përcaktojnë parimet e të drejtës ndërkombëtare, dhe përfshihen në kartën e kombeve të bashkuara që detyrojnë Serbinë ta njeh dhe ta respektojë integritetin territorial të Kosovës, që të dyja palët të trajtohen të barabarta, të respektohen simbolet shtetërore të njëra-tjetrës, ato mbesin në fuqi”, tha Osmani.
Presidentja theksoi se në momentin që Serbia del dhe thotë se nuk do të zbatojë asnjërën nga këto, duke kërkuar pastaj edhe vulosje nga Kuvendi i Serbisë që mos të zbatojë atë për të cilën është dakorduar vetë në Ohër dhe Bruksel, e rrezikon në esencë këtë dakordim. /Telegrafi/