Fundamenti

Osmani: Është interes i Serbisë zvarritja e dialogut

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu besimin se kjo çfarë po ndodh në Ukrainë, do të jetë një mësim për të gjitha shtetet perëndimore, se me shtetet e tilla që udhëhiqen nga mendësinë e Putinit, siç është edhe vetë Serbia që udhëhiqet nga një ish ministër i Millosheviqit, duhet gjuhë e qartë, e veprime të qarta.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Osmani deklaroi se pritshmëria e Kosovës sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, natyrshëm se është përqendrimi në njohjen reciproke, sepse kjo është e vetmja zgjidhje e cila çon drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë.

“Gjysmë zgjidhjet në fakt asnjëherë nuk prodhojnë paqe dhe stabilitet afatgjatë, por në anën tjetër i japin hapësirë të mjaftueshme Serbisë që të vazhdojë të afrohet më shumë me Rusinë dhe po ashtu të investojë edhe më shumë në destabilizimin e rajonit tonë”, tha presidentja Osmani, duke shtuar se: -“për fat të keq edhe kjo që po ndodh tashmë në Ukrainë, që nga 24 shkurti i vitit 2022, po dëshmon se shtetet autokratike, siç është Serbia, siç është Rusia e cila e kontrollon edhe Serbinë, asnjëherë nuk shquhen për veprime pozitive në raport me fqinjët e tyre, përkundrazi, Serbia vetëm sa është forcuar në veprimet e saj destabilizuese”.

Presidentja Osmani u shpreh se tanimë shihet se Serbia vetëm sa e ka rritur bashkëpunimin qoftë politik, qoftë ekonomik apo ushtarak me Rusinë, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e ndikimit rus në tërë rajonin tonë dhe rrezikimin e rajonit tonë.

“Prandaj besoj që kjo çfarë po ndodh në Ukrainë, të jetë një mësim për të gjitha shtetet perëndimore, se me shtetet e tilla që udhëhiqen nga mendësinë e Putinit, siç është edhe vetë Serbia që udhëhiqet nga një ish ministër i Millosheviqit, duhet gjuhë e qartë, veprime të qarta”.

Eco Higjiena

Presidentja Osmani deklaroi se edhe vetë marrëveshja e fundit që Serbia nënshkroi me Rusinë për të përcaktuar vijat e politikës së saj të jashtme, në fakt në bashkëpunim me Rusinë dhe jo me BE-në, është një mesazh i qartë që Serbia nuk është e interesuar që të kontribuojë për paqe dhe stabilitet në rajon, apo të anëtarësohet në BE.

“Përkundër veprimeve të tyre, ne si Republikë e Kosovës po tregojmë vazhdimisht konstruktivitet, angazhim pozitiv dhe po fokusohemi që i gjithë dialogu me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE dhe i përkrahur fuqishëm nga SHBA, të jetë një proces që i kontribuon paqes afatgjate në rajonin tonë dhe që natyrisht është i përqendruar në njohje reciproke”, tha Osmani në “Zërin e Amerikës”.

“Dokumentet që kanë qarkulluar në disa media nuk janë dokumente që janë propozuar apo dorëzuar ndonjëherë Republikës së Kosovës. Mos harroni që sa herë që ka përpjekje të intensifikuara në dialogut Kosovë-Serbi, gjithnjë kemi edhe dokumente të cilat dalin nga organizatat fantome, që propozohen e ide të ndryshme që propozohen në media, por në fakt të tillat nuk kanë qenë të propozuara si dokumente të tilla në takimet tona”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se është interes i Serbisë zvarritja e dialogut.

“Ka një rritje të interes të Gjermanisë dhe Francës për të intensifikuar dialogun. Mos harroni se është interes i Serbisë që të zvarrisë procesin e dialogut dhe zgjidhjen përfundimtare. Interes i Serbisë është që procesi të vazhdojë me dhjetëra apo qindra vite që Kosova të mbahet peng”, deklaroi ndër të tjera Osmani./Telegrafi/