Mobi Casa

Osmani: Dorëheqja e policëve serbë, rezultat i kërcënimeve nga Serbia

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pasi tre pjesëtarë të policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serbë kanë dhënë dorëheqje, rreth një muaj nga fillimi i punës.

“Dorëheqja e policëve nga komuniteti serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia. Kjo është një dëshmi se politikat e këtij shteti vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e Millosheviqit”, ka shkruar Osmani në platformën X.

Presidentja është zotuar se shteti do të vazhdojë të sigurojë përfshirjen e të gjitha komuniteteve në të gjitha institucionet e Kosovës.

“Do ta bëjmë një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, ka shtuar Osmani.

Për largimin e pjesëtarëve serb nga Policia e Kosovës kanë reaguar edhe institucionet ndërkombëtare dhe ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Eco Higjiena

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, u shpreh i shqetësuar me këtë njoftim.

EULEX-i po i ndjek nga afër këto zhvillime shqetësuese, shkroi Barbano duke theksuar se “përbërja e policisë duhet të pasqyrojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe e mbrojnë”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier, duke shpërndarë postimin e shefit të EULEX-it, ritheksoi siç tha “përkushtimin tonë për një forcë policore shumetnike të Kosovës. E kam thënë disa herë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe që zyrtarët policorë të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre të lirë dhe pa frikësim. Po i ndjekim nga afër këto zhvillime”, shkroi ai.

“Pajtohem plotësisht”, shkroi ndërkaq ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde. “Një vend shumetnik kërkon një polici shumetnike. Të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës – pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin – duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikë”, theksoi ai.

Pjesëtarët e rinj të policisë filluan punën mes tensioneve në veri të Kosovës të cilat u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët./Telegrafi/