Osmani dhe Rama pajtohen të vazhdojnë koordinimin në të mirë të dy shteteve dhe paqes e sigurisë rajonale

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin diskutuan për gjendjen aktuale të sigurisë në veri dhe sfidat e përbashkëta të dy vendeve.

Sipas njoftimit nga Presidenca, në takim u diskutua për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet gjatë korrikut në Vilnius të Lituanisë, për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti si dhe për situatën aktuale në Kosovë e rajon, në raport me zhvillimet e fundit të sigurisë në veri të vendit.

Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për t’i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë, thuhet në njoftim.

Në raport me situatën e sigurisë në veri, presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

Për më tepër, Osmani ka theksuar se është e domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë, transmeton Telegrafi.

Sa i përket Samitit të Procesit të Berlinit, u bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces, e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Nga ana tjetër, sa i përket Samitit të NATO-s, Presidentja falënderoi Shqipërinë për përkrahjen e vazhdueshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë, ndërkaq ritheksoi rëndësinë e ecjes përpara me anëtarësim në Partneritet për Paqe, si hap drejt anëtarësimit të plotë në NATO, i cili njëkohësisht do t’i kontribuonte stabilitetit afatgjatë në rajon.

Fundamenti

Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama u dakorduan që të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve të dy shteteve tona si dhe në të mirë të paqes dhe sigurisë rajonale.

Në takim thuhet se është i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Pas takimit me presidenten osmani, Rama ka shkuar në takim me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Ndërsa, nuk dihet nëse Rama do ta takojë edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili ka refuzuar takimin me Ramën pa “mbledhjen e dy qeverive”, të cilën e anuloi muajin e shkuar kryeministri Rama, vetëm një ditë para ditës që ishte paraparë të mbahej në Gjakovë.

Më herët gjatë ditës, Rama ka qëndruar në Shkup nga ku ka thënë se ka shpresa se “Kurti nuk e ka harruar Kanunin, se sipas Kanunit edhe hasmit i hapet dera kur të vjen në shtëpi”.

Të premten Rama do të vizitojë Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë./Telegrafi/