Osmani: Civilët e masakruar janë dëshmi e veprimeve gjenocidale të Serbisë

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe në nderim të të rënëve në Likoshan e Qirez. Nga aty u tha se deri tash drejtësia është mohuar por është obligim institucional që të përndjekin, gjykuar dhe dënuar kriminelët e shtetit gjencidial serb.

23 vite më parë në Likoshan dhe Qirez, konkretisht te vendi i quajtur “Te tre lisat”, u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe. Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm.

Ata sot u kujtuan dhe nderuan nga shumë qytetarë e përfaqësues institucional.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, tha se ushtarët e UÇK-së që bënë luftën frontale me forcat serbe dhe civilët e ekzekutuar, torturturuar e masakruar më 28 shkurt të vitit 1998 janë dëshmi e veprimeve gjenocidale të Serbisë në Kosovë, ndaj këtë të vërtetë duhet ta themi dhe ta mbrojmë çdoherë dhe kudo.

UBT

“Çdoherë duhet t`i kujtojmë të rënët, sepse duke nderuar ata do ta dimë vlerën e lirisë që e gëzojmë dhe rrugën nëpër të cilën kemi kaluar për të arritur deri këtu. Ushtarët e UÇK-së që bënë luftën frontale me forcat serbe dhe civilët e ekzekutuar, torturturuar e masakruar më 28 shkurt të vitit 1998 janë dëshmi e veprimeve gjenocidale të Serbisë në Kosovë, ndaj këtë të vërtetë duhet ta themi dhe ta mbrojmë çdoherë dhe kudo”, tha ajo.

Osmani shtoi se kjo kujtesë historike e sakrificës së popullit tonë duhet të jetë në funksion të ndërtimit të një të ardhme më të mirë për familjet e të rënëve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kurse, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se ky vend shënon qëndresën dhe sakrificën tonë por në anën tjetër edhe krimin shtetëror të Serbisë.

“Në këtë vend që shënon edhe qëndresën dhe sakrificën tonë por në anën tjetër edhe krimin shtetëror të Serbisë. Ne u kemi borxh sa nuk thuhet dhe përjetë të gjithë atyre që dhanë gjithçka që ne të jetojmë të lirë, por në anën tjetër edhe drejtësia është mohuar dhe është obligim i yni institucional që për të gjithë këta familjarë, për të vrarët të sjellim drejtësi, duke u përndjekur gjykuar e dënuar kriminelët të cilët kryen krime të luftës, edhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid“, tha Kurti.