KKVITI

Osmani: Bashkësia ndërkombëtare të jetë unike ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale dhe dialogun me Serbinë.

Sipas njoftimit nga Presidenca, në takim me Lordin Peach, Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara dhe të angazhuara për paqe dhe siguri.

“Presidentja Osmani vuri në pah se Kosova vazhdon të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë dhe në këtë kontekst ka kërkuar përfshirje më të madhe të Britanisë së Madhe si një anëtare kyçe e NATO-s dhe një partnere historike e Kosovës”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Më tej thuhet se duke folur për zhvillimet e fundit në vend, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova në vazhdimësi është palë konstruktive në raport me dialogun me Serbinë, porse pala serbe nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu.

Mobi Casa

Presidentja Osmani ka kërkuar që ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë, bashkësia ndërkombëtare ta mbajë një qëndrim unik duke dënuar veprime e tilla dhe duke mos bërë barazimin e palëve kur dihet qartë se kush është agresori.

Sipas presidentes Osmani, në veriun e Kosovës, sfidimi i rendit ligjor dhe juridik po ndodh nga banda kriminale të armatosura, të dirigjuara nga lidershipi i Serbisë, të cilat ndodhen në listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe.

Kësisoj, presidentja Osmani theksoi se është nën përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për ta siguruar sundimin e ligjit, paqes dhe sigurisë në mënyrë të barabartë në të gjithë Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët pa dallim. /Telegrafi/