Osmani: Anamorava nuk rrezikohet nga ekstremizmi

Gjilan – Sylejman Osmani kryetar i Bashkësisë Islame në Gjilan thotë për rajonipress se arrestimet e fundit po përcillen me shumë pompozitet dhe spektakël. Kosova nuk përfaqësohet nga 40 individët e arrestuar. BIK në Gjilan është distancuar me kohë ndaj këtyre grupeve, por edhe luftës në Siti ndërsa tani presim fjalën e drejtësisë thotë Osmani.
Në rajonin e Anamoravës dhe në Gjilan ka disa të arrestuar, por ky fakt nuk e brengos shumë Sylejman Osmanin kryetar i BIK-ut në Gjilan, pasiqë sipas tij Kosova nuk mund të mbetet peng i 40 vetave apo të përfaqësohet nga këta 40 të arrestuar raporton rajonipress.
Osmani tha se arrestimet e fundit më shumë po përcillen me spektakël dhe pompozitet dhe me zmadhim të tepruar të situatës.”Kam përshtypjen se po synohet që këta njerëz të paragjykohen në vend se të pritet fjala e drejtësisë. Duhet të presim që Gjykata ta thotë fjalën e vet e jo të japim deklarata politike” shprehet Osmani.
Osmani thotë se përkundër arrestimeve të fundit Anamorava nuk rrezikohet nga ekstremizmi apo grupet e ndryshme. “BIK-u në Gjilan me kohë është distancuar edhe ndaj këtyre grupeve, edhe ndaj shkuarjes së luftës në Siri për të cilën kemi thënë se është e dëmshme dhe edhe tani distancohemi nga këto grupe dhe këta individ. Megjithatë ata që kanë bërë vepra duhet të përgjigjen para organeve të drejtësisë, por jo të njolloset një shtresë e tërë dhe jo për 40 persona të alarmohet e tërë Kosova” shprehet Osmani./rajonipress/