Hidromorava

Osman Osmani, këshilltar i ri në Schaffhausen

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Me 3733 vota, punëtori sindikal dhe aktivisti i komunitetit shqiptar është njëri ndër 7 këshilltarët e SP-PS-së në Schaffhausen

Në zgjedhjet e mbajtura të dielën, për asamblenë komunale të qytetit Schaffhausen, ka fituar një vend të këshilltarit edhe veprimtari i njohur i komunitetit shqiptar të Zvicrës, Osman Osmani.

Me 3733 vota, punëtori sindikal dhe aktivisti shqiptar ka qenë njëri ndër 7 këshilltarët e Partisë Socialdemokrate të Zvicrës që ka zënë vend në parlamentin e qytetit.

Të përkujtojmë se Osman Osmani ka qenë shqiptari i parë në Zvicër që ka fituar disa vite më parë, një vend deputeti në një parlament kantonal, gjegjësisht në vitin 2006, në Parlamentin e Kantonit Schaffhausen.

Mobi Casa

I kontaktuar nga albinfo.ch, Osmani shprehet mirënjohës ndaj zgjedhësve dhe premton se do të punojë për realizimin e qëndrimeve të shprehura në fushatën zgjedhore.

”Duke qenë sindikalist dhe veprimtar me bindje të majta, nënkuptohet që do të angazhohem më shumë në lëmin social, respektivisht për respektimin e të drejtave të punëtorëve. Por po ashtu një prioritet imi do të jetë angazhimi për barazinë e të drejtave të të gjithë atyre që jetojnë në Zvicër, gjegjësisht në Schaffhausen, ku jam zgjedhur. Këtu hyjnë gjithsesi shanset e barabarta të të huajve dhe në këtë kontekst, edhe të bashkatdhetarëve të mi, shqiptarëve”, thotë Osmani.

Ndryshe, partia e cila e ka kandiduar Osman Osmanin, SP/PS ka shënuar një rënie të theksuar, duke zvogëluar përfaqësimin e saj në asamble nga 9 këshilltarë sa kishte në mandatin e kaluar në 7 sish.

Në zgjedhjet për Asamblenë Komunale të këtij qyteti, Osman Osmani ka qenë i vetmi shqiptar që ka kandiduar dhe ka fituar zgjedhjet.