Eko Higjiena

Ortopedi i njohur Selami Ramadani kryen një operim të jashtëzakonshëm të autotransplantit të gjurit

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Ortopedi i njohur kosovar Selami Ramadani përmes një qendre spitalore spanjolle ka arritur ta kryej autotransplantin e 129 në botë me shumë sukses tek një 42 vjeçar. Duke parë suksesin e treguar në këtë ndërhyrje qendra spitalore spanjolle “Regenera Activa AMT”, i ka ndarë një certifikatë dr. Selami Ramadanit duke e zyrtarizuar si njeriun kryesor për Kosovë dhe Maqedoni.

Pas një karriere të suksesshme mbi 38 vjeçare në profesionin e tij shëndetësor dr. Selami Ramadani si njëri nga ortopedët më me zë në rajon, ka përfunduar edhe një sukses të jashtëzakonshëm në fushën e mjekësisë duke kryer një autotransplant të gjurit.

Dr. Selami Ramadani është i njohur për principet e tij dhe respektimin e etikës mjekësore dhe ka qëndruar përherë në anën e pacientëve qysh para, gjatë dhe pas luftës.

Një kompani spanjolle spitalore e njohur si “Regenera Activa AMT” i ka besuar operimin e 129 të realizuar në botë dr. Selami Ramadanit.

”Më erdhi mirë që më kishin përzgjedhur mua sepse më është dashur vetëm njëherë ta shikojë këtë operim dhe këtë ndërhyrje përmes ZOOM-it dhe herën tjetër edhe me asistimin e mjekëve nga Spanja, ta kryej me shumë sukses operimin tek një 42 vjeçar gjilanas” rrëfen për rajonipress Selami Ramadani.

Ramadani thotë se ky operim është shumë i rrallë dhe është dashur një precizitet dhe saktësi.

Uji Dea

”Pacienti kishte diagnozën Osteochondritis dhe ne i bëmë autotransplantin duke marrë një pjesë nga kërci i veshit e cila jepet me gjilpërë, një ndërhyrje që kryhet për 30 minuta me anestezion lokal dhe pa dhimbje. Pacienti im ka kaluar shumë mirë dhe kam marrë shumë falënderime e telefonata nga e gjithë Kosova” tha Ramadani.

Ramadani thotë se për të dhe fushën e ortopedisë në Kosovë kjo është një arritur e madhe sepse tani pacientët tanë do të kenë shumë më pak dhimbje të gjurit, duke ju ikur injeksioneve të cilat shkaktojnë dhimbje të mëdha.

“Pas këtij suksesi Qendra spanjolle më ka certifikuar dhe më ka vendosur në vebsajtin e saj zyrtar (https://regenerapain.com/find-amt-treatment-provider) dhe jam renditur përkrah 27 doktorëve me renome ndërkombëtare nga vende të ndryshme të Evropës. Jam certifikuar për Kosovë dhe Maqedoni dhe besoj shumë shpejt do ta sigurojmë edhe aparaturën sepse është shumë e shtrenjtë dhe pacientët do të ndihen shumë me rehat nga kjo ndërhyrje” tha Ramadani.

Ndryshe, Selami Ramadani ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në sektorin e ortopedisë dhe llogaritet si njëri nga themeluesit e repartit në spitalin e Gjilanit. Ka ndihmuar qindra familje, raste sociale, invalid, veteran e pacient të tjerë me kushte të rënda materiale.

“Për mua nuk ka rëndësi paraja e as nami, për mua e rëndësishme është që pacienti të ecë në këmbë të shëndosha dhe të ndihet rehat pas çdo kontrolle ose udhëzimi që unë ia jap” tha në fund Ramadani./rajonipress/