ARKATANA

Ortakët e nëntokës s’e durojnë fjalën e lirë!

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Arbana Xharra – Është në mentalitetin qeverisës të secilës parti që deri me tash ka shijuar fuqinë e pushtetit në Kosovë, në forma të ndryshme të paraqesë tendencën e saj për të penguar lirinë e shtypit. Asnjërës prej tyre normalisht se nuk iu konvenon publikimi i maskarallëqeve. Por, ja që format e pengimit të mendimit të lirë po manifestohen secilën herë e në mënyrë më të “sofistikuar”.

Mbaj mend në detaje reagimet e disa ministrave të koalicionit LDK-AAK kur nuk kanë hezituar të thërrasin përmes telefonit për të kërcënuar, apo edhe të vinin në redaksi të gazetës për të kërkuar ta mbyllësh gojën. Ishin vitet e pasluftës, shumica as që e kishin idenë se çfarë është lira e shtypit, bile me vetëbesim konsideronin se mund të kontrollohej gjithçka prej tyre. Ministrat e zyrtarët e “krahut të luftës” që pretendonin se e kishin çliruar Kosovën, silleshin me fjalorin më denigrues.

Më kujtohet një detaj teksa po prisnim për të marrë një deklaratë një ministër, njëri nga gazetarët e thërret me emër, meqë kishin qenë shokë të studimeve dhe ministri i drejtohet me nervozizëm “mos më thirr në emër se s’i kemi rujtë dhentë bashkë”, dhe vazhdoi për në zyrë, i shoqëruar nga truprojat e tij, duke manifestuar kështu kompleksin e tij. Ishte bashkëpartiaku tjetër po ashtu ministër, i cili në orën 22:00 pati marr guximin të vijë në redaksi për të kërkuar të “mos i cenohej integriteti” duke kërcënuar se në të kundërtën do t’i tregonte dhëmbët. Nisën të kalojnë në përditshmëri forma të tilla të kërcënimeve dhe shantazheve derisa në 2004-tën u sulmua gazetarja në muajin e shtatë të shtatzënisë, Fatmire Terdevci, me armë.

Ajo kishte zbuluar skandale të mëdha në atë kohë, mes tyre edhe gypat ilegal që fusnin fshehurazi karburantet në Kosovë. Duke vazhduar kështu presioni edhe ndaj shumë kolegëve të tjerë të cilët janë përballur me forma të tjera të kërcënimeve e shantazhit. Me kalimin e viteve dhe ardhjen në pushtet të PDK-së, format e pengimit të lirisë së shtypit nisën të “avancohen”. Sot 14 vjet pas përfundimit të luftës, në Kosovë nuk ka ambient për liri të shtypit, sepse pushteti i mban nën kontroll shumicën e medieve. Pushteti dirigjon politikën redaktuese të pjesës më të madhe të medieve.

Pushteti përmes ortakëve të tij të nëntokës dhe mbitokës formon gazeta e portale për propagandë e nesër i mbyll këto për të nisur projekte të tjera mediale. Sot themelon portale rrenash, nesër i hedh këto në bërllok për të nisur rrena të reja në botën virtuale. Në këtë maskarallëk, disa gazetarë shërbejnë vetëm si instrumente për realizimin e planeve të pushtetit për dëmtimin dhe shkatërrimin e mendimit publik. Shërbëtorët e politikës fatkeqësisht në komunitetin e gazetarëve janë në rritje.

Eco Higjiena

Duke e futur tashmë nën kontroll absolut televizionin publik të Kosovës (RTK), i cili paguhet nga paratë tona, presioni ka nisur të shtrihet në mënyrë permanente nëpër mediet tjera të cilat kanë arritur të mbijetojnë si të pavarura. Qoftë përmes presionit ekonomik apo sulmeve të orkestruara kundër gazetarëve të pavarur të cilët nuk kanë arritur ti blejnë me favore siç kanë vepruar me një grumbull gazetarësh viteve të fundit. E tendenca në mënyrë institucionale për të penguar fjalën e lirë me përkrahjen edhe të disa zyrtarëve të partive opozitare u shfaq vitin e kaluar kur përmes neneve 37-38 të kodit penal tentuan që ta bëjnë penalisht përgjegjës gazetarin kur refuzon të tregojë burimet.

Nenet u përkrahen nga shumica dërmuese e deputetëve të Kosovës, një pjesë e konsiderueshme prej të cilëve janë të përfshirë në skandale dhe nuk iu konvenon shtypi i lirë, i cili e ka për detyrë t’iu nxjerrë skandalet në shesh. Pas reagimeve të ashpra të komunitetit të gazetarëve dhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë të cilët iu bënë me dije se një vendim i tillë është në kundërshtim me konventat e Bashkimit Evropian, ato u larguan. Samuel zhbogar iu tha qartë se nenet për përgjegjësinë penale dhe burimin e informacionit do të kenë ndikim negative në lirinë e shprehjes në Kosovë, dhe se ato duhet larguar nëse Kosova pretendon të ndjekë rrugën e integrimit.

Por, ja që të gjitha rrethanat, bashkë me përpjekjet që në mënyrë institucionale pushteti i ka shfaqur për të penguar shprehjen e lirë, pasqyrojnë realitetin e implikimit të grupeve kriminale në qeverisje, të cilëve nuk iu konvenon të shkruhet lirshëm për ta. Qysh në vitin 1948 në Deklaratën e Përgjithshme të OKB-së u vendos: “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes, kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë”.

Kurse në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e përcaktoi 3 Majin si Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Ndërkohë barometri i organizatave ndërkombëtare si Freedom House dhe ai i Reporterëve pa kufij, secilin vit po vazhdon të na radhisë kah fundi i listës, duke i treguar botës se në çfarë derexhe kemi ardhur.