Orinda: Mendimi i Dr. Florit vlerësohej për çdo këngë
Një ditë para se të humbin mikun dhe bashkëpunëtorin e tyre në muzikë, Dr.Florin, ata konkurruan në “Kënga Magjike” me këngë të gëzuar. Orinda Huta dhe Landi Hysi i “West Side Family” sollën në Kënga Magjike muzikën ritmike të vëllait të Dr. Florit, Albanit.
Orinda thotë se për ta kishte shumë rëndësi mendimi i Florit.
“Flori e kishte dëgjuar motivin (e këngës së re) vite më parë. Nuk e kishte dëgjuar të përfunduar, pasi ndodhi shumë shpejt. Të dielën mbrëma e pyetëm Albanin nëse Flori e dëgjoi këngën, por na tha se nuk kishte pasur mundësi t’ia tregonte dhe se do e bënte sapo ta takonte. Për ne kishte shumë rëndësi mendimi i Florit”.
“Gjithnjë ka qenë ai që na jepte mendimin troç për këngët. ‘Ia keni fut kot!’- thoshte (e ne qeshnim). ‘Po çfarë s’të pëlqen?’-e pyesja. ‘Asgjë moj s’më pëlqen, nuk e kupton publiku. Ti për ata i bën këngët’. Ose ‘këtë të fundit e ke qarë…’, thoshte. E kështu vazhdonte dhe nuk i shteronte kurrë energjia”, ka treguar këngëtarja në një intervistë për Panorama. /Telegrafi/


