Organizimi fetar në Tokat e Liruara

/ 10 minuta lexim

Nga Jeton Idrizi – Ndryshe nga disa vende të tjera ballkanike, popullsia shqiptare nuk u nda në aq kombësi sa edhe fe. Ndërgjegjja fetare nuk e errësoi dhe nuk e mbuloi asnjëherë ndërgjegjen e kombësisë shqiptare. Udhëtarët e huaj të shek. XIX kanë vënë në dukje se, te popullsia e Shqipërisë mbizotëronte ndjenja e kombësisë. Ndërmjet elementëve të feve të ndryshme të vendit u ruajtën lidhjet shpirtërore, ekonomike e shoqërore, madje edhe lidhjet familjare.

Italianët ishin të kujdesshëm ndaj ndryshimeve politike-fetare pas krijimit të “Shqipërisë së Madhe”. Në qershor 1941 ndërmorën një riorganizim të institucioneve islamike shqiptare, duke zëvendësuar Këshillin e Përgjithshëm të bashkësisë me një Këshill të Ulemave. Ky këshill përbëhej nga 5 anëtarë, që emëroheshin direkt nga Mëkëmbësi. Kjo ishte një mënyrë organizimi për t’u krijuar hapësirë dhe përfaqësim myslimanëve në Tokat e Liruara.

Kompetencat e Bashkësive Islame, në “Tokat e Liruara” në pjesën më të madhe të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore kaluan nga Ulema Mexhlisi i Shkupit në atë të Kryesisë së Komunitetit Mysliman me qendër në Tiranë. Dr. Behxhet Shapati, kryetar i Kryesisë së Komunitetit Mysliman në Tiranë, më 1941, kërkonte nga të ngarkuarit zyrtarë islamë, në “Tokat e Liruara”, që derisa të bëhej organizimi i administratës fetare e financiare dhe me qëllim të mirëvajtjes së punëve, të vazhdojnë me aktivitetin e tyre fetar, administrimin dhe ruajtjen e pasurive vakëfnore dhe të akteve zyrtare të myftinisë e të vakëfeve, dhe se për çdo çështje zyrtare duhej të korrespondonin me Kryesinë e Komunitetit.

Në Kosovë u formuan dy qendra të kryemyftinive: Prizren dhe Prishtinë. Në qendrat e kësaj zone ekzistonin kryemyftinjtë dhe myftinjtë, ndërsa në vendbanimet më të vogla nënmyftinitë dhe xhematët e imamëve. Në kryemyftininë e Prizrenit bënin pjesë vakëfet e Gjakovës, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit. Ndërsa, në kryemyftininë e Prishtinës bënin pjesë, vakëfet e Gjilanit, Drenicës, dhe Ferizajit. Peja, për arsye se nuk ishte parashikuar në buxhet për kryemyftinj, mbeti myftini e cila lidhej drejtpërdrejt me Këshillin e Ulemave. Në myftininë e Pejës bënin pjesë vakëfet e Istogut, Plavës, Gucisë, Rozhajës dhe Tutinit.

Një rol të rëndësishëm në unifikimin dhe organizimin e komunitetit mysliman, luajti revista “Kultura islame”, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Viset e Tokave të Liruara e sidomos ato të Kosovës, ishin në vëmendjen e revistës “Kultura Islame”, për shkak se, këto vise, ishin të pasura me trashëgimi islamo-orientale si xhami, teqe, mejtepe, por në veçanti me Medresenë e Madhe(e vitit 1700) dhe Medresenë e Vogël(1815), të cilat ishin institucionet kryesore të arsimimit, nëpër të cilat përveç që mësoheshin gjuhët osmane, arabe dhe perse, shpjegimi i lëndëve mësimore bëhej edhe në gjuhën shqipe.

Autorët e shkrimeve në revistën “Kultura Islame” si, hoxhallarë e fetarë të shquar, paraqisnin përpara besimtarëve rrënjët historike të islamit, shtrirjen e tij, profetët myslimanë, festat e ritet fetare, detyrimet islame etj. Por, mbi të gjitha, vend të dukshëm në faqet e revistave, zinin shkrimet që kultivonin moralin dhe normat islame, me synim edukimin e njeriut, virtytet e mira, që të edukonin një njeri të vlefshëm për shoqërinë dhe për atdheun.

Bashkësia Islame, që vepronte në kuadër të “Tokave të Liruara”, përveç edukimit fetar, kishte edhe atë atdhetar. Imamët dhe nëpunësit fetarë do të qëndronin në krye të detyrës që u ishte ngarkuar. Njëkohësisht, do të jepnin predikimet e tyre me përmbajtje fetare dhe atdhetare. Në kuadër të manifestimeve që organizoheshin për festën e 28 Nëntorit, që për herë të parë po bëheshin në vendet e liruara, Komisariati i Lartë Civil për Kosovë, Dibër e Strugë me anë të një telegram nr.20 të datës 8-XI-1941, kërkonte nga Kryesia e Këshillit të Ministrave në Tiranë që Komuniteti Mysliman të dërgonte një grup kuadrosh, të cilët, “lutjet fetare të zakonshme ndër xhamia t’i bënin në gjuhën shqipe”.

Pas organizimit të mirëfilltë të kryemyftinjve dhe myftinjve, në Tokat e Liruara, filloi riemërimi i imamëve. Të gjitha dekretet dhe emërimet e imamëve bëheshin nga kryeqendra në Tiranë. Imamët ndaheshin në dy kategori, në shtetërorë dhe privat. Imamët shtetërorë që ishin në viset e liruara paguheshin 600 lekë, vaizi 400, mësuesi i besimit 500, myezini 400. Imamët privat mbaheshin nga kontributet e besimtarëve. Më 1941 myftiu i Gjakovës ishte Fahri Iljazi, ndërsa në atë të Gjilanit ishte Shaip Rexhepi, ku pas largimit të tij erdhi Idriz Hajrullahu.

Mobi Casa

Me lidhjet administrative në mes të Shqipërisë së Vjetër dhe Kosovës, u intensifikuan edhe lidhjet ndërmjet prijësve fetarë dhe popullsisë myslimane. Për të ndërthurur edhe më mirë këto lidhje për vakëfet, xhamitë dhe pasuritë e tyre dhe për të fituar një ide të qartë mbi të gjitha problemet fetare që do të rregullohen në të ardhmen, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Behxhet Shapati, i shoqëruar nga Muharrem Mullahi, Sulejman Bakalli, Hafiz Muhameti, Hasan Tahsini, Vexhi Buhara, realizoi një vizitë zyrtare në Kosovë, duke u nisur nga Tirana për të përfunduar në Gjilan. Gjatë vizitës ata u pritën nga prijës fetarë, autoritetet qeveritare e ushtarake si dhe nga një numër i madh i qytetarëve.

Një hap përpara në organizimin e Komunitetit Mysliman në Kosovë, luajti mbajtja e Kongresit të Klerit Mysliman të Kosovës, më 22 nëntor 1941 në Prizren. Kryetar i përkohshëm i këtij Kongresi u zgjodh Hafiz Abdulla Hëziri. Qëllimi kryesor ishte bashkimi kombëtar, perfeksionimi dhe organizimi fetar. Për realizimin e parimeve islame, Kongresi vendosi që administrimi fetar në këto troje të dirigjohej prej një myftiu të përgjithshëm dhe prej 4 anëtarëve të zgjedhur nga Kongresi i Prizrenit. Myftinia e përgjithshme të ishte në vartësi të Kryesisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar. Këshilli i Naltë i Sheriatit do të kishte kompetenca për organizimin fetar të këtyre vendeve, moralisht dhe materialisht, Me këtë strukturë realizohej bashkimi i komuniteteve islame shqiptare në një komunitet të vetëm.

Në korrik 1942, Mëkëmbësi i Mbretit, Jacomoni, u angazhua drejtpërdrejtë për riorganizimin e Komunitetit Mysliman, me qëllimin për t’i dhënë një vulë më shumë unitare Shqipërisë së bashkuar. Në një njoftim të dërguar Romës, më 1 korrik 1942, Jacomoni ndalet në motivet e organizimit të ri të islamit shqiptar. Qëllimi i Jacomonit ishte largimi i kryetarit të Komunitetit Musliman Shqiptar Bexhet Shapati dhe zëvendësimi i tij me një tjetër. Jacomoni, në njoftimin dërguar Romës, shprehej për Bexhet Shapatin,se “sado që i kryente detyrat duke më kënaqur, nuk gëzonte megjithëatë në këtë mjedis islamik, për shkaqe personale, atë kredi që unë e mendoja të nevojshme për një personalitet në funksion kaq të lartë. Zgjedhja e një pasardhësi shtronte, megjithatë, probleme të ndryshme, nga të cilat më i rëndësishmi ishte gjetja e një personi që të ishte po aq i pranueshëm si për elementin mysliman të Shqipërisë së vjetër ashtu edhe për atë të Kosovës”.

Jacomoni ia arriti qëllimit të tij. Më 16 qershor 1942, kryetar i ri i myslimanëve shqiptarë u zgjodh Hafiz Sherif Langu, i cili ishte me origjinë nga Kosova.

Kohë më vonë, u mblodh Këshilli i Ulemave të Komunitetit Mysliman Shqiptar për të diskutuar lidhur me disa probleme rreth organizimit fetar në Tokat e Liruara. Gjatë kësaj mbledhjeje,nën drejtimin e Kryetarit të Këshillit të Ulemave Sherif Langu dhe të nënkryetarit Sheh Qazim Hoxha, u diskutua rreth raporteve që kishin ardhur nga zyrat fetare të qarqeve të viseve të liruara. Nga leximi dhe shqyrtimi i këtyre raporteve, u konstatua se ish Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë së Vjetër me urdhra direkte kishte ngarkuar në mënyrë provizore disa persona si myfti, nënmyfti e imame, për të kryer disa detyra të cilat ende vazhdonin punën e që ishin në kundërshtim me rregullat e Këshillit të Ulemave. Gjatë kësaj mbledhjeje, pas shumë diskutimesh, u morën këto vendime:
1. Meqenëse, pas shkatërrimit të regjimit jugosllav në tokat e liruara të Kosovës nuk ishte bërë ndonjë organizim i ri dhe i mirëfilltë i Komunitetit Mysliman i cili të punonte për lidhjen në mes të Komunitetit Mysliman të Kosovës me atë të Shqipërisë, si dhe emërimet që i kishte bërë ish kryetari në mënyrë jo ligjore, në kundërshtim edhe me urdhrin Nr. 1072 të datës 14 prill 1942 të Kryesisë së Këshillit të Ministrave, vendosi për mosnjohjen e asnjë të drejte për shpërblime apo rroga. Gjithashtu Këshilli vendosi që edhe ata myfti apo imamë që kishin marrë rroga nga arka e shtetit, duhet t’i kthenin ato, bashkë me të gjithë dosjen dhe titujt që i kishin fituar.
2. Të gjitha zyrat dhe kompetencat që i caktonte Statuti i rregullores në ish Jugosllavi, si dhe personeli dhe komisionet që ishin të caktuar kohë më parë mbesin të njëjtë deri sa të hynte në fuqi Statuti i ri i cili është në përfundim e sipër.

Ky vendim u dërgohej të gjitha Zyrave të Vakëfit në Tokat e Liruara dhe administratës qendrore dhe gjithë personelit që ishte i ngarkuar me detyrat e lartpërmendura.

Sipas përmbajtjes së këtyre vendimeve, kuptohej që, vonohej procesi i unifikimit të shtresave fetare.

Afirmimi i parimit të kombësisë, në Shqipëri u realizua jashtë fesë, kundër identifikimit të përkatësisë fetare të elementëve të ndryshëm të popullsisë shqiptare në raport me përkatësinë kombëtare. Rilindësit bënë një punë këmbëngulëse e të vështirë për të kapërcyer dasitë fetare dhe politikën përçarëse të sundimtarëve osmanë e të Patrikanës së Stambollit, që identifikonin fenë me kombësinë. Ata luftuan gjithashtu kundër çdo orvatjeje për ta shndërruar ndarjen fetare në përçarje politike-fetare. Këto parime ndoqi shteti shqiptar edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke krijuar një harmoni fetare në Shqipëri, pas bashkimit me Tokat e Liruara./rajonipress/