“Ora e Gjelbër” përmbyll projektin e aktivizmit mjedisor

Kamenicë – Në kuadër të projektit “Aktivizmi i Gjelbër Komunitar në Kosovë”, është mbajtur në Kamenicë takimi përmbyllës “Ora e Gjelbër”, i organizuar nga OJQ “Fortesa”, në bashkëpunim me KDI-në.
Koordinatori i OJQ Fortesa, Amir Jakupi paraqiti para të pranishmëve rezultatet e arritura gjatë projektit, duke nënvizuar se ky angazhim ka ndikuar në ngritjen e vetëdijes dhe mobilizimin e komunitetit për çështje mjedisore.
Në takim mori pjesë edhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Zotrim Kastrati, i cili premtoi se kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve për mjedisin do të shqyrtohen me seriozitet nga institucionet komunale.
Pjesëmarrësit pranuan gjithashtu kopje të fletënotimit, një dokument që paraqet shkallën e përmbushjes së premtimeve të gjelbra nga Komunat, duke mundësuar një pasqyrë të qartë mbi angazhimet institucionale dhe nivelin e realizimit të tyre.
Aktivistë mjedisorë, qytetarë dhe të rinj kontribuuan përmes diskutimeve dhe ideve për hapa konkretë në përmirësimin e gjendjes mjedisore në komunitet./rajonipress/