Ora e alternativës zgjedhore
Nga Donat Syla – Përderisa zgjedhjet lokale të 3 nëntorit po afrohen, mozaiku i spektrit politik në Kosovë vazhdon të mbetet i njëjti. Ambienti politik në Kosovë, siç rezulton, nuk ka qenë miqësorë për inkurajimin e nismave të reja politike, qofshin ato lëvizje të profileve të ndryshme apo edhe nisma qytetare. Është interesante se në Kosovë nuk ka as alternativa politike, të ndodhura kudo në botën demokratike, sikur që janë “të gjelbërit”, në fakt ato ekzistojnë, por jo se luajnë ndonjë rol të ndjeshëm në përcaktimin politik të elektoratit.
Përderisa në të kaluarën kishim disa nisma si “Ora”, “Fer”, por edhe Vetëvendosje, betejës politike i mbijetoi deri më tani vetëm kjo e fundit. Sidoqoftë, spektrit politik të Kosovës i mungon një parti politike, që për qëllim ka targetimin e asaj pjese të elektoratit që është e pakënaqur me platformat politike të gjithsecilës parti – e pranishme në skenën publike në Kosovë.
Mos të harrojmë se në Kosovë, një pjesë e konsiderueshme e elektoratit nuk voton dhe kjo jo për faktin se ata apriori bojkotojnë një proces ku ata marrin vendimin drejtpërdrejt, por pikërisht në mungesë të alternativave. Nismat që kanë për synim objektiva religjioze, e ku bëhen diferencime të ndryshme diskriminuese, normalisht që nuk jam duke i përfshirë në këtë trajtesë. Sikurse, që nuk jam duke i përfshirë nismat që ironizojnë me partitë tashmë tradicionale, si dhe me premtimet e tyre. Jo pse jam kundër këtyre të fundit, siç është Partia e Fortë, përkundrazi i jap përkrahje, për shkak se ironia e sarkazma vetëdijesojnë dhe emancipojnë elektoratin fanatik. Por, megjithatë konsideroj se në Kosovë ka vend për nisma, të cilat targetojnë një shtresë të qytetarëve, që konsiderojnë se votën e tyre nuk e meritojnë partitë tradicionale, por as Vetëvendosje që në thelb të programit të saj trumbeton për bashkim kombëtar me Shqipërinë dhe bojkotim të bisedimeve me Serbinë.
Pjesëtarët e shoqërisë civile në Kosovë, përkatësisht përfaqësuesit e OJQ-ve në Kosovë, që operimin e tyre e mbështesin kryesisht nga fondet e majme të organizatave të ndryshme të vendeve të BE-së dhe SHBA-së, për mendimin tim kanë rezultuar si komunitet që ka dështuar në ngritjen e kauzave publike, pa dashur që të merrem me përmbajtjen e tyre. Disa prej tyre, në vazhdimësi kanë bërë akrobacione, herë në qeveri, herë si këshilltarë presidencialë, herë të bashkuar me opozitën, e herë pas here kundër të gjithëve, por assesi të gjejnë stabilitet dhe të krijojnë kohezion të veprimeve që do të rezultonin me përkrahje.
Konsideroj se një nismë qytetare, e cila për një periudhë të shkurtë përmbushi objektivat e saj ishte ORA. Padyshim, shpërbërja e kësaj nisme ishte e dëmshme për zhvillimin e mëtutjeshëm të skenës politike. Një e ngjashme i duhet qytetarëve të Kosovës, sidomos tani kur koha e zgjedhjeve po afron, e shumë qytetarë nuk do ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar, pikërisht në mungesë të alternativave.
(Autori është autor i emisionit “Target” në RTK. Ky shkrim është bërë për gazetën Tribuna).


