Opozita: Vitia drejtë kolapsit financiar

Gjilan- Udhëheqja komunale në Viti është shembulli më i keq i keqëmenaxhimit dhe i keqqeverisjes në Kosovë thotë Sokol Haliti kryetar i LDK-së në Viti.
Për shkak të borxheve të mëdha dhe për shkak të një keqëmenaxhimi ekstrem ,komuna e Vitisë mund të shkojë në kolaps financiar. Kështu thotë Sokol Haliti kryetar i LDK-së në Viti. Haliti thotë se tashmë jo vetëm opozita, por edhe qytetarët janë të indinjuar dhe të revoltuar me situatën e rëndë që po mbretëron në këtë komunë.
“Në Viti nuk ka investime, mungon infrastruktura, mungojnë projektet e mirëfillta dhe ka shumë borxhe. Pikërisht për shkak të borxheve të mëdha shumë projekte kanë mbetur të papërfunduara” shprehet Haliti. Sipas tij udhëheqja e Vitisë në vend se të merret me hallet dhe problemet e qytetarëve ajo po merret me akuzat dhe kundër akuzat brenda PDK-së.
“Ky pushtet komunal po merret me vetveten dhe aktualisht nuk e ka prioritet zhvillimin ekonomik të qytetit. Mbi tetë konteste gjyqësore i ka humbur Nexhmedin Arifi. Dhe po të ketë pak ndërgjegje morale, Arifi duhet të japi dorëheqje” tha Haliti.
Aktakuza e ngritur ndaj Nexhmedin Arifit për shpërdorim të detyrës zyrtare sipas opozitës e ngritë edhe më shumë dilemën ,nëse ky pushtet mund të mbijetojë deri në fund të mandatit.
“Ne nuk dëshirojmë që kjo udhëheqje ta qojë qytetin e Vitisë në situata të jashtëzakonshme , por ata duhet vet të ofrojnë dorëheqje, derisa nuk ka dalur situata nga kontrolli”. Haliti mendon se edhe Qeveria qendrore e ka injoruar qytetin e Vitisë dhe nuk ka investuar fare as në infrastrukturë e as në mirëqenien e qytetarit.
Por ,ndryshe mendon nënkryetari i Komunës së Vitisë, Abdyl Bajrami. I kontaktuar nga Rajonipress, ai tha se akuzat e opozitës nuk janë të bazuara. “Të gjitha projektet janë përfunduar dhe kryer me kohë dhe janë të paguara të gjitha obligimet e kompanive. Mund të ketë borxhe të vjetra e që janë në konteste gjyqësore, por as që bëhet fjalë për kolaps financiar”u arsyetua Bajrami.
Duke ju referuar kërkesës për dorëheqjen e Nexhmedin Arifit, Bajrami tha se është e vërtetë që ka një aktakuzë të ngritur,por edhe ajo aktakuzë nuk e atakon direkt kryetarin Arifi. “Nexhmedin Arifi nuk ka nevojë të japi dorëheqje, dhe as që pritet të ndodh një gjë e tillë,vetëm pse kështu ka dëshirë opozita” tha Bajrami./rajonipress/