Opozita të nxjerrë platformën qeverisëse
Analistët theksojnë se opozita duhet ta nxjerrë në sipërfaqe, për opinionin publik, edhe platformën unike, me të cilën synon të bëjë reforma në qeverisjen e shtetit.
Forma e re e rezistencës kundër pushtetit
Mirëpritet protesta ditë e natë në shesh
Analistët theksojnë se opozita duhet ta nxjerrë në sipërfaqe, për opinionin publik, edhe platformën unike, me të cilën synon të bëjë reforma në qeverisjen e shtetit
Pasi është shterur forma e të protestuarit me lëvizje masive të qytetarëve, përleshje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve dhe fjalime të liderëve të partive politike, deri në përdorimin masiv të gazit lotsjellës në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, opozita e bashkuar kosovare ka marrë për model protestat e opozitës në shtetin fqinj, Maqedoninë.
Në Maqedoni kjo formë e protestës e detyrojë Qeverinë të bëjë marrëveshje me opozitën dhe të caktojë datën e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.
Kjo formë e re veprimi është mbështetur si mënyrë më racionale dhe demokratike e të protestuarit edhe nga shoqëria civile dhe analistët politikë. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, tha se protesta e tillë, me qëndrim të protestuesve në tenda nëpër sheshe, do të vazhdojnë derisa ekzekutivi të bindet për marrëveshje me opozitën, për vetëdorëzim dhe për zgjedhje të reja. “Opozita e bashkuar, shoqëria civile dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të protestojnë ditë e natë në sheshin kryesor të Prishtinës për ta larguar të keqën nga ky vend, me moton për shtet me sovranitet, prej sot e deri në largimin e qeverisë ‘Mustafa -Thaçi'”, tha për “Kosova Sot” nënkryetari i AAK-së./kosova sot/

